Botë

SHBA-ja do të dërgojë në Izrael trupa ushtarake dhe një sistem të avancuar antiraketor

Ushtria amerikane

Një bateri "THAAD" zakonisht kërkon rreth 100 trupa për të funksionuar

Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se do të dërgojnë trupa amerikane në Izrael së bashku me një sistem të avancuar anti-raketor të SHBA-së, me synimin për të forcuar mbrojtjen ajrore të vendit pas sulmeve raketore nga Irani.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka thënë se masa ka për qëllim "mbrojtjen e Izraelit", i cili po peshon një hakmarrje kundër Iranit, pasi Teherani gjuajti më shumë se 180 raketa në Izrael më 1 tetor, raporton Reuters.

Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar privatisht Izraelit të peshojë përgjigjen e tij për të shmangur shkaktimin e një lufte më të gjerë në Lindjen e Mesme, thonë zyrtarët, teksa Bideni ka shprehur publikisht kundërshtimin e tij ndaj një sulmi izraelit në vendet bërthamore të Iranit.

Zëdhënësi i Pentagonit, gjeneralmajor Patrick Ryder e përshkroi vendimin e fundit si pjesë e "rregullimeve më të gjera që ushtria amerikane ka bërë muajt e fundit" për të mbështetur Izraelin dhe për të mbrojtur personelin amerikan nga sulmet e Iranit dhe grupeve të mbështetura nga Irani.

Por një dislokim ushtarak i SHBA-së në Izrael është i rrallë jashtë stërvitjeve, duke pasur parasysh aftësitë ushtarake të Izraelit. Trupat amerikane në muajt e fundit kanë ndihmuar mbrojtjen e Izraelit nga luftanijet dhe avionët luftarakë në Lindjen e Mesme, kur u vu nën sulmin iranian.

Sistemi i mbrojtjes “THAAD”, të cilin SHBA-ja planifikon ta dërgojë në Izrael, është një pjesë kritike e sistemeve të mbrojtjes ajrore. Një bateri "THAAD" zakonisht kërkon rreth 100 trupa për të funksionuar. Ai numëron gjashtë lëshues të montuar në kamion, me tetë përgjues në secilin lëshues, dhe një radar të fuqishëm.

VIDEO: Çka është sistemi “THAAD” dhe si funksionon

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, paralajmëroi më herët të dielën se Shtetet e Bashkuara po vënë në rrezik jetën e trupave të tyre duke i vendosur ato për të operuar sistemet raketore amerikane në Izrael.

“Ndërsa ne kemi bërë përpjekje të jashtëzakonshme në ditët e fundit për të frenuar një luftë gjithëpërfshirëse në rajonin tonë, unë e them qartë se ne nuk kemi vija të kuqe në mbrojtjen e popullit dhe interesave tona”, ka shkruar Araqchi në X.