Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, do ta shpallë gjatë ditëve në vijim pakon përfundimtare të “Iniciativës për Asistencën e Sigurisë në Ukrainë” (USAI), duke i përdorur fondet e kursyera për të blerë armë të reja për Ukrainën, bënë të ditur dy burime të informuara me çështjen.
Pakoja përfshin përgjues të mbrojtjes ajrore dhe municione artilerie, sipas një burimi tjetër, por përmbajtja e saktë e saj pritet të bëhet e ditur kur pakoja të shpallet në ditët në vijim. Vlera e saj do të jetë rreth 1.2 miliardë dollarë, thanë burimet.
Sipas USAI-t, pajisjet ushtarake blihen nga industria e mbrojtjes ose partnerët, në vend që të merren nga stoqet amerikane, që do të thotë se mund të duhen muaj ose vite për të arritur në fushën e betejës, raporton Reuters.
Paketa e USAI-t mund të jetë ndër hapat e fundit që Shtetet e Bashkuara ndërmarrin për të ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë ushtarake për Ukrainën, ndërsa Kievi po përgatitet për kthimin e presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump, i cili ka vënë në dyshim publikisht ndihmën ushtarake dhe është zotuar se do t’i japë fund luftës në Ukrainë brenda 24 orëve, pasi të marrë detyrën më 20 janar.
Që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, Shtetet e Bashkuara kanë dhënë 175 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, duke përfshirë rreth 61.4 miliardë dollarë ndihmë për sigurinë.
Departamenti i Shtetit dhe Pentagoni nuk kanë pranuat të komentojnë mbi pakon e re të ndihmës, duke thënë se ata nuk i diskutojnë ato përpara se ato të bëhen publike zyrtarisht.