Botë

SHBA-ja do ta mbronte Izraelin nëse sulmohet nga Irani, thotë Shtëpia e Bardhë

John Kirby

John Kirby

Foto: Associated Press

Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbrojtur Izraelin në rast të një sulmi iranian, ka deklaruar të martën zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Kirby i ka thënë Channel 12 të Izraelit se ishte e vështirë të parashikoheshin shanset e një sulmi, por Shtëpia e Bardhë e merr seriozisht retorikën iraniane, raporton Reuters.

"Ne besojmë se ata janë ende të vendosur dhe të gatshëm për të nisur një sulm nëse duan ta bëjnë këtë, kjo është arsyeja pse ne kemi atë qëndrim të shtuar të forcës në rajon”, është shprehur Kirby.

"Mesazhet tona për Iranin janë të qëndrueshme, kanë qenë dhe do të qëndrojnë konsistente. Një, mos e bëni. Nuk ka asnjë arsye për ta përshkallëzuar situatën. Nuk ka asnjë arsye për të filluar potencialisht një lloj lufte rajonale. Dhe dy, ne jemi dhe do të jemi të përgatitur për të mbrojtur Izraelin nëse vjen deri aty”, ka shtuar Kirby. 

Në orët e para të së dielës janë zhvilluar sulme ajrore ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut në Liban.

Sulmet kanë ngritur alarmin për një luftë në shkallë të gjerë në Lindjen e Mesme.

Hezbollahu dhe Izraeli kanë shkëmbyer vazhdimisht sulme që kur ka nisur lufta në Gaza, për shkak se Hezbollahu e mbështet grupin militant palestinez Hamas, dhe të dyja grupet mbështeten nga Irani.