Bisedimet e gjata midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për një armëpushim të mundshëm në Ukrainë kanë përfunduar pa marrëveshje të martën, ka njoftuar agjencia shtetërore ruse e lajmeve “Interfax”.
Pritjet ishin se të dy palët do të arrinin të dilnin me një deklaratë të përbashkët, pas një takimi maratonik, raporton CNN.
“Interfax” ka cituar zëvendëskryetarin e parë të Komitetit të Mbrojtjes dhe Sigurisë të Federatës Ruse, Vladimir Chizhov, të ketë thënë për kanalin televiziv shtetëror Rossiya-24 se deklarata "nuk u miratua për shkak të pozicionit të Ukrainës".
“Fakti që ata u ulën për 12 orë dhe dukej se ranë dakord për një deklaratë të përbashkët, e cila megjithatë nuk u miratua për shkak të qëndrimit të Ukrainës, është gjithashtu shumë karakteristik dhe simptomatik”, ka thënë Chizhov për Rusi-24, sipas Interfax.
Diplomatët amerikanë dhe rusë pritej të lëshonin një deklaratë të përbashkët të martën në mëngjes.
Një deklaratë e tillë do të dërgonte një sinjal të fuqishëm se Uashington DC dhe Moska ishin serioze për armëpushimin.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë komentuar ende për rezultatin e bisedimeve.
Zyrtarët rusë dhe amerikanë u takuan në hotelin Ritz-Carlton në Riad të hënën, në të njëjtin vend ku delegacioni amerikan u takua me zyrtarët ukrainas të dielën.
Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov e ka përshkruar takimin e tij me të dërguarin e presidentit Donald Trump, Keith Kellogg të dielën si "produktiv dhe të fokusuar".
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë të martën se Moska po "analizonte" rezultatet e rundit të dytë të bisedimeve midis zyrtarëve rusë dhe amerikanë. Duke folur me gazetarët, ai e ka minimizuar rëndësinë e bisedimeve, duke i përshkruar ato si "teknike".
Ai gjithashtu ka thënë se aktualisht nuk ka plane që Trumpi dhe Putini të flasin, megjithëse ka shtuar se një bisedë mes dy liderëve mund të organizohet "shumë shpejt".
Zyrtarët rusë thanë përpara takimit se ata donin që bisedimet të përqëndroheshin në ringjalljen e nismës së grurit të Detit të Zi.
Marrëveshja e grurit të Detit të Zi midis Rusisë dhe Ukrainës është ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia dhe synonte të siguronte kalim të sigurt për anijet e Ukrainës që transportonin prodhime bujqësore nëpërmjet Detit të Zi. Ukraina ishte një nga eksportuesit kryesorë në botë të grurit përpara pushtimit të plotë të Rusisë.