Botë

SHBA-ja dërgon nëndetëse në Lindjen e Mesme

SHBA-nëndetëse

SHBA-ja ka dërguar një nëndetëse me raketa në Lindjen e Mesme, ndërsa tensionet në rajon po  rriten. Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha gjithashtu se një aeroplanmbajtëse e cila tashmë po shkonte në zonë do të arrijë atje së shpejti. 

Masa vjen si përgjigje ndaj frikës për një konflikt më të gjerë rajonal, pas vrasjes së fundit të liderëve të lartë të Hezbollahut dhe Hamasit.

Dërgesa sinjalizon vendosmërinë e SHBA-së për të ndihmuar në mbrojtjen e Izraelit nga çdo sulm nga Irani – me  Lloyd Austin që thotë se SHBA-ja do të “ndërmarrë çdo hap të mundshëm” për të mbrojtur aleatin e saj.

Irani po vëzhgohet nga afër për çdo hap pasi ka kërcënuar se do t'i përgjigjet vrasjes së liderit të lartë politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Teheran, që ndodhi më 31 korrik.

Iranianët fajësuan Izraelin për vrasjen e Haniyehut në tokën e tyre dhe janë zotuar ta ndëshkojnë atë. Izraeli nuk ka komentuar, por besohet gjerësisht se ka qenë pas këtij sulmi, raporton BBC. 
Megjithatë, mbetet e paqartë se çfarë mund të planifikojë të bëjë Irani.

Ndërkohë, një tjetër sulm i mundshëm ndaj Izraelit mund të vijë nga Hezbollahu, milicia dhe lëvizja politike e mbështetur nga Irani në Liban.

Grupi është zotuar se do t’i përgjigjet vrasjes nga Izraeli të komandantit të lartë Fuad Shukr, e cila ndodhi vetëm disa orë para vrasjes së Haniyehut, në periferitë jugore të Bejrutit.