Administrata e Bidenit ka thënë të martën se do të njohë dhe mbështesë një qeveri të re siriane që heq dorë nga terrorizmi, shkatërron rezervat e armëve kimike dhe mbron të drejtat e pakicave dhe grave.
Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë në një deklaratë se SHBA-ja do të punonte me grupet në Siri dhe partnerët rajonalë për të siguruar që tranzicioni nga qeveria e rrëzuar e presidentit Bashar al-Assad të vijojë pa probleme.
Blinkeni nuk ka specifikuar se me cilat grupe do të punonte SHBA-ja, por Departamenti i Shtetit nuk e ka përjashtuar mundësinë e bisedimeve me grupin kryesor rebel sirian, pavarësisht përcaktimit të tij si organizatë terroriste.
“Procesi i tranzicionit dhe qeveria e re duhet gjithashtu të mbështesin angazhimet e qarta për të respektuar plotësisht të drejtat e pakicave, për të lehtësuar rrjedhën e ndihmës humanitare për të gjithë në nevojë, për të parandaluar përdorimin e Sirisë si bazë për terrorizmin ose për të paraqitur një kërcënim për fqinjët e saj, dhe të sigurojë që çdo rezervë e armëve kimike ose biologjike të sigurohet dhe të shkatërrohet në mënyrë të sigurt”, thuhet në deklaratën e Blinkenit, raporton AP.
Blinkeni ka shtuar se sirianët duhet të vendosin për të ardhmen e tyre dhe se vendet e tjera duhet të "mbështesin një proces gjithëpërfshirës dhe transparent" dhe të mos ndërhyjnë.
"Shtetet e Bashkuara do të njohin dhe mbështesin plotësisht një qeveri të ardhshme të Sirisë që rezulton nga ky proces. Ne jemi të përgatitur për të dhënë të gjithë mbështetjen e duhur për të gjitha komunitetet dhe zonat e ndryshme të Sirisë”, ka shtuar ai.
Qeveria e Assadit u rrëzua të dielën gjatë ofesivës së udhëhequr nga grupi rebel Hayat Tahrir al-Sham, i njohur si HTS, i cili është cilësuar një "organizatë e huaj terroriste" nga SHBA-ja që nga viti 2012.
Departamenti i Shtetit thotë se do ta shqyrtojë atë emërtim nëse grupi ndërmerr hapa për të ndryshuar arsyet për të, por thotë se vetë listimi nuk ndalon diskutimet midis anëtarëve të tij dhe zyrtarëve amerikanë.
Zëdhënësi i Departamentit Matthew Miller ka thënë të hënën se zyrtarët amerikanë "kanë aftësinë, kur është në interesin e shtetit, të komunikojnë ligjërisht me një organizatë të caktuar terroriste".