Administrata Biden po planifikon një paketë të shitjes së armëve në vlerë prej 680 milionë dollarësh për Izraelin, ka thënë të mërkurën një zyrtar amerikan i njohur me planin, edhe pse një armëpushim i ndërmjetësuar nga SHBA-ja në Liban midis Izraelit dhe grupit të armatosur Hezbollah ka hyrë në fuqi.
Paketa, e cila u raportua për herë të parë nga “Financial Times”, përfshin municione dhe qindra bomba me diametër të vogël, sipas zyrtarit, raporton Reuters.
Lajmi vjen më pak se një ditë pasi marrëveshja e armëpushimit i dha fund konfrontimit më vdekjeprurës në vite midis Izraelit dhe grupit militant të mbështetur nga Irani, por Izraeli ende po lufton armikun tjetër të tij të përhershëm, grupin militant palestinez Hamas në Rripin e Gazës.
Paketa pason një shitje në vlerë prej 20 miliardë dollarësh në gusht të këtij viti, të avionëve luftarakë dhe pajisjeve të tjera ushtarake në Izrael.
Reuters raportoi në qershor se Washingtoni, aleati më i madh dhe furnizuesi i armëve i Izraelit, i ka dërguar Izraelit më shumë se 10,000 bomba shumë shkatërruese dhe mijëra raketa Hellfire që nga fillimi i luftës së Gazës, në tetor të vitit 2023.
Në deklaratën e tij të martën në mbrëmje, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka renditur nevojën për të rimbushur rezervat e armëve si një nga arsyet për armëpushimin.
“Dhe e them hapur, nuk është sekret që ka pasur vonesa të mëdha në dërgimin e armëve dhe municioneve. Këto vonesa do të zgjidhen së shpejti”, ka deklaruar Netanyahu.
Bideni e ka mbështetur fuqishëm Izraelin që kur sulmuesit e armatosur të udhëhequr nga Hamasi sulmuan më 7 tetor 2023, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke marrë më shumë se 250 pengje.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit nuk pranoi të konfirmonte shitjen, por ka thënë se mbështetja e SHBA-së për sigurinë e Izraelit mbetet "e palëkundur" kundër të gjitha kërcënimeve të mbështetura nga Irani.