Botë

SHBA-ja akuzon RSF-në e Sudanit për gjenocid dhe sanksionon liderin e tij

Lideri i RFS-se Mohamed Hamdan Dagalo

Foto: Getty Images

SHBA-ja ka akuzuar forcat paramilitare sudaneze Rapid Support Forces (RSF) për gjenocid dhe ka sanksionuar liderin e tyre, raporton “BBC”. 

Sekretari amerikan i Shtetit,  Antony Blinken të martën tha se Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur edhe si Hemedti, është duke u dënuar për rolin e tij ‘’sistematik’’ në krimet ndaj popullit sudanez gjatë 20 muajve konflikt. Ai tha se RSF dhe milicitë aleate janë fajtore për vrasjen e ‘’burrave dhe djemve - madje edhe të foshnjave’’, si dhe një dhunë brutale seksuale ndaj grave të pakicave etnike. 

Milicitë kanë shënjestruar edhe civilët të pafajshëm që po arratiseshin nga konflikti, tha Blinken. 

‘’Duke u bazuar në informatat, unë kam ardhur në përfundimin se anëtarët e RSF-së dhe milicitë aleate kanë kryer gjenocid në  Sudan,’’ tha ai.

Në përgjigje, RSF-ja ka akuzuar SHBA-në për standarde të dyfishta për dështimin që ta adresojë krizën në mënyrë efektive. 

‘’Vendimi... shpreh dështimin e administratës Biden që të merret me krizën në Sudan dhe për standarde të dyfishta që ka ndjekur (në lidhje me krizën)”, shkroi këshilltari i Hemedtit, El-Basha Tbaeq, në një postim në X.

Ai shtoi se kjo mund ta komplikojë krizën në Sudan dhe t’i vonojë negociatat në adresimin e shkaktarit kryesor të konfliktit. 

RSF-ja është duke luftuar kundër Ushtrisë sudaneze që nga prilli i 2023, dhe ka pasur një rritje në reagimet ndaj formës së luftimit. 

Të dyja palët janë akuzuar për krime, konflikt që ka shtyrë në një nga krizat më të mëdha humanitare në botë.

Në maj, i dërguari special i SHBA-së për Sudan, Tom Perriello tha se disa sugjerojnë se deri në 150,000 njerëz janë vrarë më konflikt. Uria e madhe është deklaruar në disa pjesë të vendit, me 24.6 milionë njerëz, përafërsisht gjysma e popullsisë – në nevojë urgjente për ushqim, kanë deklaruar ekspertët. 

Blinken tha se as RSF dhe as Ushtria e Sudanit nuk janë të përshtatshëm ta udhëheqin Sudanin.

‘’Të dyja palët kanë përgjegjësi për dhunën dhe vuajtjen në Sudan dhe mungesë  legjitimiteti të qeverisin në të ardhmen në Sudan paqësor,’’ tha ai. 

Sanksionet ndalojnë  Hemedtin dhe familjen e tij të afërt për ta vizituar SHBA-në, dhe i janë bllokuar të gjitha asetet personale në SHBA.  

Shtatë kompani të RSF-së të cilat janë hapur në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe individë të tjerë janë sanksionuar për ndihmën në armatimin e forcës paramilitare.