Botë

Senatori Bob Menendez do të japë dorëheqje pas dënimit për ryshfet

Bob Menendez

Foto: Associated Press

Bob Menendez do të japë dorëheqje nga Senati në SHBA, pasi është dënuar se ka pranuar mito përfshirë edhe shufra ari për t’i ndihmuar qeveritë e huaja, raporton agjencia “AP”. 

Demokrati nga New Jersey i ka rezistuar deri më tash thirrjeve për dorëheqje, përfshirë edhe nga lideri i shumicë demokrate në Senat, Chuck Schumer. Dorëheqja e tij vjen një ditë pasi Komiteti i Etikës së Senatit të SHBA-së nisi shqyrtimin për përjashtimin e tij. 

Menendez – dikur kryesues i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Senatin e SHBA-së – u shpall fajtor për 16 akuza që lidhen me korrupsion. Ai përballet me dekada burgim. 

Ai ka insistuar në pafajësi, duke thënë jashtë gjykatës pas dënimit të tij se ai “kurrë nuk e ka shkelur betimin publik”. 

Sipas “Washington Post” dhe disa mediave tjera, dorëheqja e Menendezit do të hyjë në fuqi nga 20 gushti.