Botë

Senati i SHBA-së bllokon sanksionimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale

Senati ne SHBA

Foto: Associated Press

Legjislacioni i cili do të vendoste sanksione ndaj zyrtarëve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, si shenjë proteste për urdhërarrestet ndaj kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, është bllokuar nga Senati i SHBA-së të martën.

Senati votoi 54-45 në favor të legjislacionit, që i bie se masa, që ka kaluar në Dhomën e Përfaqësuesve  të dominuar nga republikanët, nuk mundi t’i marrë 60 vota “për” nga 100, që janë të nevojshme për ta avancuar legjislacionin, ka raportuar agjencia e lajmeve “Reuters”.

Legjislacioni do të sanksiononte çdo të huaj që heton, ndjekë penalisht apo ndalon qytetarët e SHBA-së dhe ata të vendeve aleate, përfshirë Izraelin, që nuk janë anëtarë të gjykatës.

Në fillim të muajit ka kaluar në Dhomën e Përfaqësuesve me 243 vota për dhe 140 kundër, kur 45 demokratë ju bashkuan republikanëve për ta kaluar legjislacionin.

Në Senat, demokratët deklaruan se u pajtuan me pjesën më të madhe të legjislacionit, por ata thanë se ishte shumë e gjerë, dhe rrezikonte distancimin nga aleatë të rëndësishëm të SHBA-së, dhe vendosjen e sanksioneve ndaj punëtorëve të nivelit të ulët në Holandë. 

Duke shtyrë kolegët të votojnë “jo” lideri i demokratëve në Senat, Chuck Schumer akuzoi GJNP-në për “bindje anti-Izrael që nuk mund të injorohet”, por deklaroi se legjislacioni ishte i punuar keq pasi mund të kishte cak edhe kompanitë nga SHBA-ja, që ofrojnë shërbime të mbrojtjes kibernetike.