Botë

Sekreti prapa suksesit të gjigantit kinez të tekstilit

Puna e stërzgjatur, e vërteta pas çmimeve të ulëta të “Shein”

BBC-ja kaloi disa ditë në Guangzhou, port në Kinën jugore. Vizituan 10 fabrika, folën me katër pronarë dhe me më shumë se 20 punëtorë. Kaluan gjithashtu kohë në tregjet e punës dhe me furnizuesit e tekstilit. Hulumtimi i BBC-së zbuloi se “zemra” e kësaj perandorie është një fuqi punëtore e ulur pas makinave qepëse për rreth 75 orë në javë në kundërshtim me ligjet kineze të punës

Zhurma e makinave qepëse është e natyrshme në shumë pjesë të Guangzhous, port në Kinën jugore.
Ajo dëgjohet prej dritareve të hapura të fabrikave nga mëngjesi deri në orët e vona të natës, teksa qepen bluzat, pantallonat e shkurtër, xhemperët, pantallonat dhe rrobat e banjës, të cilat më pas dërgohen në më shumë se 150 vende të botës. 

Ky është tingulli i Panyus, lagjja e njohur si “fshati Shein”, ku gjenden një sërë fabrikash të cilat fuqizojnë shitësin më të madh në botë të të ashtuquajturës “modë e shpejtë”.

“Nëse muaji ka 31 ditë, unë do të punoj 31 ditë”, tha një punëtor për BBC-në.

Shumica thanë se kanë vetëm një ditë pushimi në muaj.

BBC-ja kaloi disa ditë këtu. Ekipi vizitoi 10 fabrika, foli me katër pronarë dhe me më shumë se 20 punëtorë. Ekipi gjithashtu kaloi kohë në tregjet e punës dhe me furnizuesit e tekstilit.

Hulumtimi zbuloi se “zemra” e kësaj perandorie është një fuqi punëtore e ulur pas makinave qepëse për rreth 75 orë në javë në kundërshtim me ligjet kineze të punës.

Ky orar nuk është i pazakontë në Guangzhou, në qendrën industriale ku njerëzit synojnë të ardhura më të larta; ose në Kinë, e cila prej kohësh ka qenë fabrikë botërore e pakrahasueshme e tekstilit dhe prodhimtarisë. 

Por shumë pyetje janë shtruar rreth “Shein”, dikur kompani pak e njohur e themeluar nga Kina, e cila është shndërruar në një gjigant global për më shumë se pesë vjet.

Ende nën pronësi private, ajo u vlerësua në rreth 66 miliardë dollarë në vitin 2023. 

Megjithatë, rritja e saj meteorike është shoqëruar me polemika rreth trajtimit të punëtorëve dhe akuzave për punë të detyruar.

Vitin e kaluar kompania pranoi se kishte gjetur fëmijë që punonin në fabrikat e saj në Kinë.

Suksesi i “Shein” qëndron në vëllimin e produkteve – inventari online përfshin qindra mijëra produkte - dhe zbritje të shumta: fustane 12 dollarë, xhemperë 7 dollarë, çmime mesatare nën 10 dollarë.

Raporti i “Public Eye”

Të ardhurat janë rritur, duke tejkaluar kompanitë si “H&M”, “Zara” dhe “Primark” të Mbretërisë së Bashkuar. Shitjet me çmime të lira janë falë vendeve si “fshati Shein”, shtëpia e rreth 5 mijë fabrikave, shumica e tyre furnizues të kompanisë “Shein”.

Ndërtesat janë zbrazur duke u shndërruar në fabrika plot me makina qepëse e pëlhura. Dyert e bodrumeve të tyre janë gjithmonë të hapura për ciklin, në dukje të pafund, të dërgesave dhe koleksioneve të produkteve.

Gjatë gjithë ditës raftet mbushen me qese plastike transparente, të etiketuara me një emër, tashmë të dallueshëm, me pesë shkronja.

Edhe pas orës 22:00, makinat qepëse dhe njerëzit e kërrusur mbi to nuk ndalen.

“Ne zakonisht punojmë, 10, 11 ose 12 orë në ditë. Të dielave ne punojmë rreth tri orë më pak”, thotë një grua 49-vjeçare nga Jiangxi, e cila nuk dëshiron ta bëjë të ditur identitetin e saj.

Orari standard i punës duket të jetë nga ora 08:00 deri në orën 22:00, zbuloi BBC-ja.

Kjo është në përputhje me një raport nga grupi zviceran i avokimit “Public Eye”, i cili u bazua në intervistat me 13 punëtorë tekstili në fabrikat që prodhonin rroba për “Shein”.

Ata zbuluan se shumica e stafit punonin jashtë orarit të lejuar. 

“Ky orar nuk është i pazakontë, por është e qartë se është i paligjshëm dhe shkel të drejtat themelore të njeriut”, tha David Hachfield nga “Public Eye”. “Është një formë ekstreme shfrytëzimi dhe kjo duhet të jetë e dukshme”.

Mesatarja e orëve të punës nuk duhet t’i kalojë 44 orë në javë, sipas ligjeve kineze të punës, të cilat gjithashtu thonë se punëdhënësit duhet të sigurojnë që punëtorët të kenë të paktën një ditë pushimi në javë. Nëse punëdhënësi dëshiron të zgjasë orarin, duhet të jetë për arsye të veçanta.

Reagime nga Washingtoni

Ndonëse selia e “Shein” tani është në Singapor, nuk mund të mohohet se shumica e produkteve të saj prodhohen në Kinë.

Suksesi i “Shein” e ka tërhequr vëmendjen e Washingtonit, i cili është gjithnjë e më i kujdesshëm ndaj firmave kineze.

Në qershor i zgjedhuri i Donald Trumpit për sekretar të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, shprehu shqetësim për “lidhjet e thella të “Shein” me Republikën Popullore të Kinës”: “Puna e skllevërve dhe dallaveret tregtare janë sekretet e pista prapa suksesit të ‘Shein’”, shkroi ai.

Jo të gjithë do të pajtoheshin me zgjedhjen e fjalëve të Rubios për të përshkruar kushtet në fabrikat e “Shein”. Por grupet e të drejtave thonë se oraret e gjata të punës, të cilat janë bërë një mënyrë jetese për shumë njerëz në Guangzhou, janë të padrejta dhe shfrytëzuese.

Makinat qepëse diktojnë ritmin e ditës.

Ato ndalojnë në drekë dhe darkë kur punëtorët, me pjata metalike dhe shkopinj në dorë, futen në mensë për të blerë ushqim. Nëse nuk ka më vend për t’u ulur, ata qëndrojnë në rrugë.
“Unë kam punuar në këto fabrika për më shumë se 40 vjet”, tha një grua që shfrytëzoi vetëm 20 minuta duke ngrënë vaktin e saj. Kjo ishte vetëm një ditë tjetër e zakonshme për të.

Brenda fabrikat që vizitojmë nuk janë të vogla. Ka dritë të mjaftueshme dhe kondicionerët e përmasave industriale ruajnë një temperaturë konstante. Posterë të mëdhenj nxisin stafin që të raportojnë punëtorët e mitur.

Një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet “Shein” janë akuzat se ajo furnizohet me pambuk nga rajoni Xinjiang i Kinës.

Dikur i shpallur si ndër materialet më të mira në botë, pambuku i Xinjiangut është thënë të jetë prodhuar duke përdorur punë të detyruar nga njerëz nga pakica myslimane ujgure, akuzë kjo që Pekini e ka mohuar vazhdimisht.

Rivalët aspirantë si Vietnami dhe Bangladeshi importojnë lëndë të parë nga Kina për të prodhuar rroba. Por fabrikat kineze mbështeten tërësisht në burimet lokale për gjithçka, nga pëlhura te zinxhirët dhe butonat. Pra, është e lehtë për të bërë një shumëllojshmëri të veshjeve dhe ata janë në gjendje ta bëjnë këtë shpejt.

Kjo funksionon veçanërisht për “Shein”. Nëse blerësit klikojnë në mënyrë të përsëritur në një produkt të caktuar, firma di të kërkojë nga fabrikat që të bëjnë më shumë prej atij lloji dhe madje shpejt.

Për punëtorët në Guangzhou, kjo mund të jetë një sfidë.

“‘Shein’ ka të mirat dhe të këqijat e tij”, ka theksuar një pronar i fabrikës. “Gjëja e mirë është se porosia është e madhe, por fitimi është i ulët”.

Pagat e ulëta

“Shein” duke pasur parasysh madhësinë dhe ndikimin e tij, është një diplomat i vështirë. Pra, pronarët e fabrikave duhet të ulin kostot diku tjetër, duke rezultuar shpesh në paga më të ulëta të stafit.

“Para Sheinit, ne prodhonim dhe shisnim rroba vetë”, tha një pronar i tri fabrikave. “Ne mund të vlerësonim koston, të vendosnim çmimin dhe të llogarisnim fitimin. Tani ‘Shein’ kontrollon çmimin dhe ju duhet të mendoni se si të ulni koston”.

Megjithatë, kur porositë arrijnë kulmin, është një gjë e mirë. Kompania dërgon mesatarisht rreth një milion pako në ditë, sipas të dhënave nga “ShipMatrix”, firmë logjistike.

“‘Shein’ është një shtyllë e industrisë së modës”, tha Guo Qing E, një furnizues i “Shein”.

“Unë fillova punën kur filloi edhe ‘Shein’. Kam qenë dëshmitar i zhvillimit të saj. Për të qenë i sinqertë, ‘Shein’ është një kompani e mrekullueshme në Kinë. Unë mendoj se do të bëhet më e fortë, sepse paguan në kohë. Nëse pagesa për mallrat tona duhet të bëhet në datën 15, pavarësisht nëse janë miliona apo dhjetëra milionë, paratë do të jepen në kohë”, shtoi ai.

“Shein”, me orarin e tij rraskapitës dhe pagat ndonjëherë të ulëta, mund të mos jetë burim ngushëllimi për të gjithë punëtorët e tij. Por, për disa është burim krenarie.

“Ky është kontributi që ne kinezët mund t’i japim botës”, tha një punëtore 33-vjeçare nga Guangdongu.

Jashtë është errësuar dhe punëtorët po kthehen në fabrika pas darkës së tyre për ciklin përfundimtar të qepjes. Ajo e pranon se orari është i gjatë, por “ne shkojmë mirë me njëri-tjetrin. Jemi si një familje”.

Disa orë më vonë, edhe pasi shumë punëtorë shkojnë në shtëpi, dritat në disa ndërtesa qëndrojnë të ndezura.

Disa njerëz punojnë deri në mesnatë, na tha një pronar i fabrikës. Ata duan të fitojnë më shumë para, tha ai.

Në fund të fundit, në Londër, Chicago, Singapor, Dubai dhe shumë vende të tjera dikush po blen diçka nga “Shein”.