Botë

Sekreti i errët i parfumeve

Vjelja e jaseminit

Vjelja e jaseminit Foto: BBC

Një hulumtim i BBC-së në zinxhirët e furnizimit të parfumeve, verën e kaluar, ka zbuluar se jasemini i përdorur nga furnizuesit e “Lancôme” dhe “Aerin Beauty” ishte vjelë nga të miturit. Është e vështirë të thuhet se sa nga 30 mijë njerëzit e përfshirë në industrinë e jaseminit të Egjiptit janë fëmijë. Por gjatë verës së vitit 2023, shumë nga banorët kanë thënë se çmimet janë të ulëta për jaseminin, gjë që nënkupton se atyre u duhet t’i përfshijnë fëmijët e tyre në punë

Jasemini i përdorur nga furnizuesit e “Lancôme” dhe “Aerin Beauty” ishte vjelë nga të miturit, ka zbuluar një hulumtim i kryer nga BBC-ja, në zinxhirët e furnizimit të parfumeve, verën e kaluar. 
Kjo, përkundër që të gjitha firmat e parfumeve luksoze pretendojnë se nuk tolerojnë që fëmijët të punojnë. 

“L'Oréal”, pronar i “Lancôme”, ka thënë se ka qenë i vendosur në respektimin e të drejtave të njeriut. “Estée Lauder”, pronar i “Aerin Beauty”, ka thënë se i ka kontaktuar furnizuesit e vet.

Jasemini i përdorur në parfumin “Lancôme Idôle L'Intense”, “Ikat Jasmine” dhe “Limone Di Sicilia”, të “Aerin Beauty” – vjen nga Egjipti, i cili prodhon gati gjysmën e furnizimeve të luleve të jaseminit në botë – përbërës kryesor i parfumeve.

Pjesëtarë të industrisë kanë treguar se një pjesë e madhe e kompanive, të cilat kanë në pronësi shumë firma luksoze janë duke e ruajtur buxhetin, çka rezulton në pagesë shumë të vogël. Vjelësit egjiptianë të jaseminit thonë se kjo i detyron ata t’i përfshijnë edhe fëmijët e tyre në procesin e vjeljes. 

Dhe është zbuluar se sistemet e auditimit që i përdor industria e parfumeve për t’i kontrolluar zinxhirët e furnizimit janë me të meta të thella.

Raportuesi special i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) për format bashkëkohore të skllavërisë, Tomoya Obokata, ka thënë se ishte i shqetësuar nga provat e BBC-së, të cilat përfshijnë filmime të fshehta në fushat e jaseminit egjiptian gjatë sezonit të vjeljes së vitit të kaluar.

“Në letër industria është duke premtuar shumë gjëra të mira, si transparencë në zinxhirët e furnizimit dhe luftën kundër punës së kryer nga fëmijët. Kur e shoh këtë filmim, ata në fakt janë duke vepruar kundër gjërave që i kanë premtuar”.

E vërteta e hidhur

Heba – e cila jeton në një fshat të distriktit Gharbia, zemra e rajonit të jaseminit në Egjipt – e zgjon familjen e saj në ora 3 të mëngjesit për ta filluar vjeljen e luleve, para se nxehtësia e diellit t’i dëmtojë ato.

Heba thotë se asaj i duhen katër fëmijët e saj – të moshave nga 5 deri në 15 vjeç – për ta ndihmuar. Si shumica e vjelësve të jaseminit në Egjipt, ajo njihet si “vjelëse e pavarur” dhe punon në një fermë të vogël. Sa më shumë vjelin ajo dhe fëmijët e saj, aq më shumë mund të fitojnë.

Në natën që është filmuar, ajo dhe fëmijët e saj kanë arritur t’i vjelin 1.5 kilogramë lule jasemini. Pasi i ka paguar një të tretën e fitimeve të saj ndaj pronarit të tokës, asaj i kanë mbetur gati 1.5 dollarë për punën e asaj nate. Kjo është më e ulët se më parë, duke e ditur që inflacioni në Egjipt është shumë i lartë dhe se vjelësit janë duke jetuar në kufirin e varfërisë.

Vajza 10-vjeçare e Hebas, Basmalla gjithashtu është diagnostikuar me alergji të rëndë të syrit. Në vizitën mjekësore, mjeku i ka thënë asaj se shikimi i saj mund të preket, nëse e vazhdon vjeljen e jaseminit pa e trajtuar inflamacionin. 

Kur jasemini vilet dhe peshohet, transferohet përmes pikave të vjeljes në një nga disa fabrikat vendore, të cilat e nxjerrin vajin nga lulet – tri më të mëdhatë janë “A Fakhry and Co”, “Hashem Brothers” dhe “Machalico”. Çdo vit, fabrikat janë ato që vendosin çmimin mbi jaseminin e vjelë nga njerëzit si Heba.

Është e vështirë të thuhet se sa nga 30 mijë personat e përfshirë në industrinë e jaseminit të Egjiptit janë fëmijë. Por gjatë verës së vitit 2023, shumë nga banorët kanë thënë se çmimet janë të ulëta për jaseminin, çka nënkupton se atyre u duhet t’i përfshijnë fëmijët e tyre në punë.

Në katër vende të ndryshme, një numër i madh i vjelësve që kanë punuar nëpër ferma – të cilat furnizojnë fabrikat kryesore – kanë qenë fëmijë nën moshën 15-vjeçare. Shumë burime kanë treguar se shumë fëmijë punojnë nëpër fermat që janë në pronësi të drejtpërdrejtë të fabrikës “Machalico”, ku mosha e punonjësve sillet nga 12 deri 14 vjeç. 

Është joligjore që dikush i moshës nën 15-vjeçare të punojë në Egjipt mes orëve 19:00 dhe 07:00.

“Mjeshtërit”

Fabrikat e eksportojnë vajin e jaseminit në shtëpi ndërkombëtare të aromave, që janë ndërmarrje për krijimin, prodhimin dhe tregtimin e parfumeve. “Givaudani”, me bazë në Zvicër është një nga më të mëdhatë dhe ka marrëveshje afatgjatë me “A Fakhry and Co”.

Por janë kompanitë e parfumeve mbi to – që përfshijnë “L'Oréalin” dhe “Estée Lauderin” – që e kanë fuqinë, sipas parfumierit të pavarur Christophe Laudamiel dhe disa pjesëtarë të tjerë të industrisë. 

Të njohur si “mjeshtërit”, ata e vendosin buxhetin e ulët për shtëpitë e aromave, ka thënë ai.

Interesi i “mjeshtërve” është ta gjejnë vajin më të lirë të mundshëm për ta vendosur në shishet e aromave”, dhe t’i shesin me çmimet më të larta të mundshme, ka thënë Laudamieli, i cili ka kaluar vite duke punuar në një prej shtëpive të aromave.

“Ata në fakt nuk i vendosin pagat e vjelësve, e as çmimin aktual të jaseminit, sepse janë përtej kësaj”, ka shpjeguar ai.

Por ai ka thënë se për shkak të buxhetit që ata e vendosin, “presioni” për paga bie – te fabrikat dhe kryesisht te vjelësit.

“Ka shkëputje të madhe mes çmimeve që fliten në bisedën e marketingut dhe asaj që u jepet vjelësve”, ka shtuar ai.

Në materialin e tyre promovues, kompanitë e parfumeve dhe shtëpitë e aromave tregojnë tablo të ndryshme të praktikave etike të burimeve. Çdo punëdhënës në zinxhirin e furnizimit, gjithashtu e ka nënshkruar një letër angazhimi për OKB-në, duke u premtuar t’i respektojnë udhëzimet e saj, sa i përket praktikave të sigurta të punës dhe eliminimin e punës së kryer nga fëmijët.

Raportet e firmave

Problemi, sipas një drejtuesi të lartë në shtëpinë e aromave “Givaudan”, është mungesa e mbikëqyrjes që e kanë kompanitë e parfumeve për zinxhirët e tyre të furnizimit.

Duke folur në mënyrë anonime, drejtori ka thënë se këto kompani udhëzojnë kompanitë e auditimit të palës së tretë, për ta siguruar kujdesin e duhur.

Firmat e auditimit shpesh të përmendura nga konglomerat dhe shtëpitë e aromave në faqet e tyre të internetit dhe në letrat drejtuar OKB-së, janë “Sedex” dhe “UEBT”.

Raporti nga “UEBT-ja”, i bazuar në një vizitë të vitit të kaluar, tregon se ka një indikacion për çështjet e të drejtave të njeriut, por nuk u hyn detajeve. Pavarësisht kësaj, kompanisë i është dhënë “vërtetim”, çka do të thotë se mund të ofrojë “vaj të jaseminit të furnizuar në mënyrë të përgjegjshme”.

“UEBT-ja”, sa i përket kësaj, ka thënë: “Një kompanie i është lëshuar një vërtetim burimor përgjegjës, subjekt i një plani të veprimit … i vlefshëm deri në mes të vitit 2024 dhe do të tërhiqet nëse … nuk zbatohet”. 

Raporti i “Sedexit” i ka dhënë fabrikës vlerësim të shkëlqyer, por ishte e qartë nga shkrimi dhe se vizita është paralajmëruar paraprakisht e vetëm fabrika është audituar dhe jo femrat prej nga janë furnizuar me jasemin.

Fëmijët që punojnë në fermat e jaseminit Foto: BBC

“Sedexi” ka thënë se është “me vendosmëri kundër të gjitha formave të shkeljeve të të drejtave të punës. Por nuk mund të mbështetet në vetëm një mjet të vetëm, për t’i zbuluar dhe korrigjuar të gjitha rreziqet ose ndikimet mbi të drejtat e njeriut”.

Sarah Dadushi, themeluese e Projektit Përgjegjës Kontraktues, i cili përpiqet t’i përmirësojë të drejtat e njeriut në zinxhirët e furnizimit global ka thënë se hetimi i BBC-së “zbulon... se këto sisteme nuk janë duke funksionuar”.

Problemi, ka thënë ajo, është se “auditorët janë duke audituar vetëm atë për të cilën paguhen” dhe kjo mund të mos e përfshijë çmimin e paguar ndaj fuqisë punëtore – “shkaktari kryesor” i punës së kryer nga fëmijët. 

“A Fakhry and Co” ka thënë se puna e kryer nga fëmijët është e ndaluar si në fermë ashtu edhe në fabrikë, por se shumica e sasisë së jaseminit është e furnizuar nga mbledhës të pavarur. “Në vitin 2018, nën monitorimin e ‘UEBT-së’, ne e kemi nisur Projektin për zbutjen e produkteve për mbrojtjen e jaseminit, i cili nxit ndalimin e punës së individëve nën moshën 18-vjeçare nëpër ferma”. Ka shtuar se “sipas çdo standardi të Egjiptit, vjelja e jaseminit shpërblehet mirë”.

“Machalico” ka thënë se nuk i përdor vjelësit e moshës nën 18-vjeçare dhe ka thënë se e ka rritur çmimin që e paguan për jaseminin gjatë dy vjetëve të fundit dhe do ta bëjë të njëjtën gjë këtë vit. “Hashem Brothers” ka thënë se raporti i BBC-së është “i bazuar në informacione të pasakta”.

“Givaudan”, shtëpia e aromës që krijon “Lancôme Idôle L'Intense”, e ka përshkruar hetimin si “shumë alarmues”, duke shtuar se “është detyrë e të gjithëve ta vazhdojmë ndërmarrjen e hapave për ta larguar plotësisht rrezikun që puna të kryhet nga fëmijët”.

“Firmenich”, shtëpia e aromës që krijon “Ikat Jasmine” dhe “Limone Di Sicilia” për “Aerin Beauty” dhe që në verën e 2023-s e ka furnizuar “Machalicon” me jasemin, ka thënë se është duke e përdorur një furnizues të ri në Egjipt. Ka shtuar se do t’i “mbështesë iniciativat që përpiqen kolektivisht ta adresojnë këtë problem me partnerët e industrisë dhe fermerët lokalë të jaseminit”.

“L'Oréali” ka thënë se është i “angazhuar në respektimin e standardeve të të drejtave të njohura ndërkombëtarisht”, duke shtuar se “nuk ka kërkuar asnjëherë që shtëpitë e aromave ta ulin çmimin e tregut për përbërësit që merren nga fermerët. Pavarësisht vendosmërisë tonë... ne e dimë se në disa pjesë të botës ku operojnë furnizuesit e ‘L'Oréalit’, ka rreziqe të shkeljes së angazhimeve tona”.

Ka shtuar se “kurdo që shfaqet një problem, ‘L'Oréali’ punon aktivisht për ta identifikuar shkaktarin dhe për ta gjetur mënyrën e zgjidhjes së problemit. Në janar të 2024-s, partneri ynë e ka kryer një vlerësim në terren të për t’i identifikuar shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut dhe për t’i gjetur mënyrat për t'i parandaluar dhe zbutur ato, me fokus në rreziqet e punës së kryer nga fëmijët”.

“Estée Lauderi” ka thënë se “ne besojmë se të drejtat e fëmijëve duhet të mbrohen. Dhe i kemi kontaktuar furnizuesit tanë për ta hetuar këtë çështje shumë serioze. Ne e njohim kompleksin e mjedisit socio-ekonomik që e rrethon zinxhirin lokal të furnizimit të jaseminit dhe janë duke ndërmarrë hapa për të gjetur transparencë dhe të punohet drejt zhvillimit të jetesës së komuniteteve furnizuese”.

Në Gharbia, vjelësja e jaseminit Heba është tronditur kur i kanë treguar për çmimin e parfumit në tregun ndërkombëtar.

“Njerëzit këtu nuk kanë vlerë fare”, ka thënë ajo. “Nuk kam problem se njerëzit e përdorin parfumin, por dua që njerëzit që e përdorin t’i shohin vuajtjet e fëmijëve. Dhe të flasin kundër kësaj”.
Por Sarah Dadush, gjithashtu avokate, ka thënë se përgjegjësia nuk i takon konsumatorit.
“Ky nuk është problemi që duhet ta zgjidhim ne. Ne na duhet ligji... na duhet përgjegjësia dhe kjo nuk duhet të bjerë vetëm mbi konsumatorin”.