Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka deklaruar se SHBA-ja “është e përgatitur të konsideroj të gjitha opsionet” rreth propozimit të presidentit Donald Trump që SHBA-ja të marrë “pozicionin e kontrollit afatgjatë” të Gazës.
Ndërkohë që Shtëpia e Bardhë ka refuzuar të përjashtojë mundësinë e transferimit me forcë të palestinezëve nga Gaza.
Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka paralajmëruar se “është esenciale të shmanget çdo formë e spastrimit etnik”.
Ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio ka deklaruar se “oferta bujare” e Trumpit “për të ndihmuar në pastrimin e Gazës nuk duhet të shikohet si lëvizje ose veprim armiqësor”, ka raportuar “BBC”.
Trump, gjatë konferencës së përbashkët të shtypit me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, mbajtur të martën mbrëma në Shtëpinë e Bardhë, ka thwnw se SHBA-ja mund të marrë nën kontroll territorin e Gazës për ta rindërtuar vendin e shkatërruar nga lufta gati 15- mujore.
Ideja përfshin edhe zhvendosjen e palestinezëve jashtë Gazës derisa territori të rindërtohet.
“Sa i përket Gazës, ne do të bëjmë atë që është e nevojshme. Do ta marrim përsipër atë pjesë dhe do ta zhvillojmë, do të krijojmë mijëra e mijëra vende pune. Dhe do të jetë diçka për të cilën e gjithë Lindja e Mesme mund të jetë shumë krenare”, ka theksuar presidenti Trump.