Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara ka caktuar një seancë të posaçme për të enjten, për të dëgjuar argumentet e avokatëve të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, mbi imunitetin e tij për sa i përket çështjes penale ku Trump akuzohet për ndërhyrje në rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.
Trump ka mohuar vazhdimisht akuzat kundër tij dhe gjyqtarë të gjykatave më të ulëta të vendit kanë thënë që ish-presidenti nuk ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në rezultatet e zgjedhjeve, raporton “Associated Press”.
Trump është akuzuar në Gjykatën Federale në Washington për komplot për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020, një nga katër çështjet penale me të cilat po përballet.
Prokurori i posaçëm, Jack Smith ka kërkuar nga Gjykata e Lartë që të trajtojë çështjen sa më shpejtë që të jetë e mundur, në mënyrë që gjyqi të fillojë përpara zgjedhjeve të nëntorit, në rast se gjyqtarët bien dakord që Trumpi mund të ndiqet penalisht.
Avokatët e Trumpit kanë argumentuar se presidentët do të humbasin pavarësinë e tyre dhe nuk do të jenë në gjendje të kryejnë detyrën nëse e dinë që veprimet e ndërmarra gjatë kohës që shërbejnë si udhëheqës të vendit, mund të çojnë në ndjekjen penale të tyre pasi t’i përfundojnë mandatet.
Çështja ka të bëj me kohën, pasi që Trumpi ka kërkuar të shtyjë gjyqin deri pas zgjedhjeve, sepse në rast se do të arrijë të rimarrë presidencën, ai mund të urdhërojë Departamentin e Drejtësisë që t’i japë fund çështjes.
Prokurorët i kanë bërë presion Gjykatës së Lartë që të marrë vendim më shpejt në mënyrë që t’i rifillojnë përgatitjet. Pas vendimit të Gjykatës, mund të duhen edhe tre muaj të tjerë që të fillojë gjykimi.
Nëse gjykata jep vendimin e saj në fund të qershorit, mund të mos ketë kohë të mjaftueshme për të nisur gjykimin përpara zgjedhjeve.