Botë

S’duam të jemi amerikanë, thotë kryeministri i Grenlandës

Mute Egede

Kryeministri i Grenlandës, Mute Egede, ka deklaruar të martën se qytetarët e Grenlandës nuk duan të jenë amerikanë.

Deklarata e tij vjen si përgjigje ndaj pretendimeve të presidentit të ri amerikan, Donald Trump, se dëshiron ta bëjë ishullin më të madh në botë pjesë të SHBA-së.

"Ne jemi grenlandezë. Ne nuk duam të jemi amerikanë. Nuk duam të jemi as danezë. E ardhmja e Grenlandës do të vendoset nga Grenlanda", ka deklaruar Edege gjatë një konference për shtyp të martën.

Edhe pse nuk u përmend gjatë inaugurimit të presidentit, Trump ka përsëritur thirrjet që SHBA-ja të blejë Grenlandën, e cila është një territor autonom i Danimarkës.

I pyetur për Grenlandën nga gazetarët në Zyrën Ovale të hënën, Trumpi ka përsëritur se Grenlanda është një vend i mrekullueshëm, dhe se SHBA-ja ka nevojë për të për sigurinë ndërkombëtare.