Botë

S’do të jetë gjatë, thotë ministri izraelit për liderin e ri të Hezbollahut

Naim Qassem

Foto: Associated Press

Grupi i armatosur libanez Hezbollah emëroi Naim Qassem si udhëheqësin e tij të ri të martën, por ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant tha se mandati i tij do të ishte "i përkohshëm".

Deklarata e tij u pa si një kërcënim pasi ushtria izraelite vrau paraardhësin e tij, Hassan Nasrallah në Bejrut më shumë se një muaj më parë.

"Emërim i përkohshëm. Jo për shumë kohë”, ka shkruar Gallant në X, bashkëngjitur me një fotografi të Qassem, raporton Reuters.

Hezbollahu i mbështetur nga Irani ka thënë në një deklaratë me shkrim se Këshilli i tij Shura kishte zgjedhur Qassem, 71 vjeç, në përputhje me mekanizmin e tij për zgjedhjen e një sekretari të përgjithshëm.

Qassem u emërua si zëvendës-shef i Hezbollahut në vitin 1991 nga sekretari i përgjithshëm i atëhershëm i grupit të armatosur, Abbas al-Musawi, i cili u vra nga një sulm me helikopter izraelit një vit më pas.

Qassem mbeti në rolin e tij kur Nasrallah u bë lider, dhe ka qenë prej kohësh një nga zëdhënësit kryesorë të Hezbollahut, duke kryer intervista me media të huaja.

Nasrallah u vra më 27 shtator në një sulm ajror izraelit në periferitë jugore të Bejrutit, të njohur si Dahiyeh, dhe figura e lartë e Hezbollahut, Hashem Safieddine, që konsiderohej pasuesi më i mundshëm, u vra në sulmet izraelite disa javë më vonë.

LEXO EDHE: