Botë

Scholzi u befasua për të mirë nga telefonata me Trumpin

Scholz & Trump

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka thënë se ishte i befasuar për të mirë nga telefonata me Donald Trumpin pas rizgjedhjes së republikanit si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës javën e kaluar, shkruan Politico.

“Kjo ishte – ndoshta çuditërisht – bisedë shumë e detajuar dhe e mirë me presidentin e zgjedhur të SHBA-së”, ka thënë Scholz në një intervistë me “Süddeutsche Zeitung”.

Gjatë telefonat së 10 nëntorit, sipas Scholzit, u fol gjatë për Ukrainën. Ndërsa theksoi se do të ishte “e papërshtatshme” të zbuloheshin detajet e bisedës, Scholzi shtoi se Trumpi i la përshtypje se ka pozicion shumë ndryshe sesa është supozuar.

Scholz të premten foli në telefon edhe me presidentin rus Vladimir Putin për rreth një orë. Ishte hera e parë në dy vjet që dy liderët patën bisedime mes tyre.

I pyetur nëse ka frikë nga një marrëveshje midis Trumpit dhe Putinit për ta dëmtuar Ukrainën, Scholzi u përgjigj se nuk ka asnjë tregues që kjo do të ndodhë.

Në intervistë, Scholzi theksoi gjithashtu se Putini nuk i ka arritur qëllimet e shpallura në pushtimin e Ukrainës pasi Rusia nuk ka arritur të pushtojë të gjithë vendin, ndërsa NATO-ja ka fituar dy anëtarë, Finlandën dhe Suedinë, dhe “është më e fortë se kurrë”.

Kur u pyet më pas pse presidenti rus duhet të hyjë në negociata për sa kohë që Rusia po fiton terren ushtarakisht, Scholzi u përgjigj se spekulimet për atë që po ndodh në kokën e Putinit nuk do të arrijnë askund.

“Ne do të duhet ta zbulojmë dhe për këtë duhet të flasim me të [Putinin]”, deklaroi kancelari gjerman.