E përditësuar (15:23) - Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka deklaruar se me Trumpin në SHBA, uniteti evropian është më i rëndësishëm se kurrë.
Në një fjalim para Bundestagut gjerman të mërkurën, Scholzi ka akuzuar opozitën se propozimet e tyre për ndryshim të ligjeve të azilit dhe emigracionit, do të thyejnë solidaritetin midis shteteve anëtare, raporton The Guardian.
Ai ka thënë se sistemi i ri i përbashkët i BE-së për azil do të ndihmojë në mbrojtjen më të mirë të kufijve të jashtëm.
Scholzi po ashtu ka paralajmëruar se nëse propozimet e opozitës kalojnë, dhe nëse Gjermania tërhiqet, do të tërhiqen edhe shtetet e tjera.
Ai e ka quajtur synimin e opozitës për të kaluar propozimet qoftë edhe me votat e AfD-së, “një gabim i pafalshëm”.
Scholzi mbron të drejtën për azil
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka mbrojtur të drejtën për të kërkuar azil në Gjermani, duke hedhur poshtë thirrjet për një rregullim rrënjësor të ligjeve të azilit dhe emigracionit.
“E drejta për azil është një pjesë integrale e sistemit tonë ligjor dhe të vlerave. Nuk duhet ta braktisim sot”, ka deklaruar Scholzi të mërkurën, në një fjalim në Bundestag, raporton The Guardian.
Duke folur drejtpërdrejt për sulmin në Aschaffenburg javën e kaluar, gjatë të cilit një afgan i cili ishte planifikuar të dëbohej ka therë me thikë për vdekje dy persona, njëri prej të cilëve fëmijë, ai e ka quajtur atë "një krim të urryer, monstruoz" dhe ka thënë se shumë qytetarë ndihen "thellësisht të shqetësuar" nga rastet e përsëritura "ku autori abuzoi me mbrojtjen tonë".
Lideri i partisë CDU, Friedrich Merz, i cili pritet të bëhet kancelari i ardhshëm gjerman, është raportuar se do të paraqesë të mërkurën para parlamentit propozime për ndryshimin rrënjësor të ligjeve të azilit dhe imigracionit, edhe nëse ato përfundojnë duke u miratuar me mbështetjen e partisë së ekstremit të djathtë “Alternativa për Gjermaninë” (AfD).
Scholzi ka argmentuar se qeveria e tij rriti numrin e dëbimeve nga Gjermania dhe po punon për më shumë fluturime drejt Afganistanit, si dhe Sirisë "sapo situata në terren ta lejojë këtë".
“Ne do të dëbojmë kriminelët edhe atje, sipas ligjit dhe rendit, siç i ka hije një shteti kushtetues”, është shprehur kancelari gjerman.
Ai ka folur edhe për masat e qeverisë së tij për të mbrojtur kufijtë dhe për të ashpërsuar politikat e imigracionit.
“Me disa nga masat tona ne kemi shtyrë kufijtë e asaj që kushtetuta jonë dhe traktatet evropiane e lejojnë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për kontrollet e përkohshme kufitare, të cilat duhet të rivendosen dhe zgjaten çdo gjashtë muaj. Por është e qartë se ne nuk mund dhe nuk duhet të shkojmë përtej ligjit aktual”, ka shtuar ai.
Duke sulmuar drejtpërdrejt propozimet e opozitës, ai i ka quajtur ato "pseudo-zgjidhje" që do të dëmtonin reputacionin e Gjermanisë në Evropë dhe do të minonin BE-në.
Scholzi ka thënë po ashtu se propozimet e opozitës, nëse miratohen, do të shkelin ligjin e BE-së, diçka që “asnjë kancelar gjerman nuk do ta kishte bërë ndonjëherë”.
LEXO EDHE: