Social Demokratët e qendrës së majtë të Gjermanisë (SPD) emëruan zyrtarisht kancelarin Olaf Scholz si kandidatin e partisë për zgjedhjet e parakohshme federale më 23 shkurt.
Emërimi i Scholzit vjen pas dy javësh diskutimesh të tensionuara brenda SPD-së nëse do të mbështeste kancelarin aktual për një mandat të dytë apo mbështetja do të ishte për ministrin e Mbrojtjes, Boris Pistorius, raporton DW.
Pistorius, aktualisht politikani më popullor i Gjermanisë sipas sondazheve, javën e kaluar njoftoi se nuk do të kandidonte për kancelar dhe ofroi mbështetjen e tij për Scholzin.
Kjo i hapi rrugën Scholz-it që të nominohej si kandidati kryesor i SPD-së.
Udhëheqësi i partisë së qendrës së djathtë “Unioni Kristian Demokrat” (CDU), Friedrich Merz do të jetë kundërkandidati që do të përballet me socialdemokratët (SPD) në zgjedhjet e përgjithshme.
Megjithëse Merz nuk ka mbajtur kurrë poste qeveritare, sondazhet sugjerojnë se ai është favorit në garë.
Ndërkohë Scholzi planifikon të thërrasë një votëbesimi në parlament për 16 dhjetor. Ai pritet ta humbasë atë, duke i hapur rrugën presidentit të Gjermanisë që të shpërndajë parlamentin dhe të thërrasë zgjedhjet e reja për më 23 shkurt.