Botë

Scholz: Zgjedhjet në Gjermani s’do të përcaktohen nga pronarët e mediave sociale

Olaf Scholz

Foto: Associated Press

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, u ka kërkuar votuesve që të mos lejojnë "pronarët e kanaleve të mediave sociale" të përcaktojnë zgjedhjet e parakohshme të vitit të ardhshëm.

Deklarata e tij vjen pak pasi pronari i platformës sociale “X”, njëherësh njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, shprehu mbështetjen e tij për partinë e ekstremit të djathtë “Alternativa për Gjermaninë” (AfD).

Në një fjalim të Vitit të Ri, Scholz ka thënë se vetëm qytetarët gjermanë kanë fuqinë për të vendosur "nga do të shkojë Gjermania nga këtu" pas zgjedhjeve të përgjithshme më 23 shkurt, raporton The Guardian.

"Nuk do të vendoset nga pronarët e kanaleve të mediave sociale”, ka deklaruar Scholz.

Sipas tij, fati i shoqërisë gjermane "do të jetë në dorën e shumicës dërrmuese të njerëzve të arsyeshëm dhe të mirë".

Pa përmendur Musk ose platformën e tij, X, në mënyrë eksplicite, Scholzi u bëri thirrje gjermanëve që t'i rezistojnë manipulimit dhe të ngrihen për demokracinë e tyre.

"Ajo që dëshiroj është që ne të mos lejojmë të luajmë kundër njëri-tjetrit”, ka shtuar ai.

Scholz vuri në dukje se ka pasur një rritje të dezinformatave në mediat sociale pas sulmit në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg më 20 dhjetor, në të cilin pesë persona u vranë dhe më shumë se 200 u lënduan. Përplasja me veturë e turmës në qytetin që ndodhet rreth 130 km në perëndim të Berlinit, dyshohet se është kryer nga një sulmues i lindur në Arabinë Saudite me simpati për ekstremin e djathtë.

Të hënën, zëdhënësja e Scholzit, Christiane Hoffmann, akuzoi Muskun se po përpiqej të ndërhynte në fushatën zgjedhore të vendit me një sërë deklaratash që mbështesin partinë anti-myslimane, anti-emigracion AfD.

Musku shpesh ka komentuar politikën gjermane, madje duke e quajtur Scholzin një "budalla" në X muajin e kaluar. 

Megjithatë, thirrjet e tij të fundit, të hapura për votuesit gjermanë, që të mbështesin AfD-në, të cilën autoritetet federale e klasifikojnë si një parti e dyshuar ekstremiste, kanë shkaktuar zemërim dhe akuza për ndërhyrje shqetësuese në ekonominë kryesore të Evropës.

LEXO EDHE: