Kancelari gjerman Olaf Scholz ka theksuar të premten se nuk pret që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ndalojnë ndihmën ushtarake për Ukrainën pasi presidenti i zgjedhur Donald Trump të inaugurohet më 20 janar.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Berlin, Scholz ka thënë se kishte folur me Trumpin dy herë që nga zgjedhjet dhe ka shtuar se ka një dialog diplomatik “intensiv” midis dy palëve, raporton Reuters.
“Prandaj mund të shpresojmë se bashkëpunimi i mirë midis Evropës dhe SHBA-së do të vazhdojë të jetë i suksesshëm në të ardhmen, duke përfshirë çështjen e mbështetjes për Ukrainën”, është shprehur kancelari gjerman.
“Kështu që unë nuk pres që SHBA-ja të ndalojë së mbështeturi Ukrainën në mbrojtjen e saj”, ka shtuar ai.