Botë

Santorini shpall gjendje të jashtëzakonshme

Santorini

Gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në ishullin grek Santorini, pas ditëve rresht me tërmete, shkruan “BBC”. 

Një tërmet i fuqishëm është regjistruar në mes ishujve grek të Amorgosit dhe Santorinit, pas ditëve me dridhje të një pas njëshme.

Më shumë se 11,000 persona janë larguar nga ishulli, rreth 7,000 prej tyre me anije dhe rreth 4,000 nga ajri. 

Tërmeti me 5.2 shkallë rihter, ka goditur në orën 21:09 lokale të mërkurën (sipas kohës lokale), duke u bërë tërmeti më i fuqishëm i ditëve të fundit. Mendohet se thellësia e tërmetit ishte 5 kilometra. 

Ai u ndjek nga një goditje tjetër prej 4.7 shkallësh në jugperëndim të Amorgosit në orën 7:50 në kohën lokale të enjten, nga mesnata deri në orën 6:30 kanë goditur edhe 57 dridhje më të vogla. 

Deri tani nuk është raportuar për dëme të mëdha në ishull, por autoritet kanë marrë masa parandaluese në rast se godet ndonjë tërmet më i fuqishëm. 

Drejtori i Institutit të Gjeodinamikës, Vasilis Karastathis ka deklaruar se “aktiviteti sizmik po vazhdon në të njëjtën ritëm intensiv si ditët e kaluara, kemi pasur shumë tërmete me shkallë më të lartë se 4, dhe akoma nuk jemi në pozicion të themi se kemi prova që ritmi po ulet, jemi në mes të rrugës, nuk kemi parë akoma shenja të qetësimit”. 

Santorini për çdo vit mirëpret miliona vizitorë, por tani nuk është sezoni dhe kjo nënkupton që banorët lokal dhe punëtorët janë shumica e të evakuarve. 

Shkollat në Santorini dhe në ishujt e afërt duke përfshirë Anafin, Parosin, Naxosin dhe Mykonosin do të qëndrojnë të mbyllura deri të premten, derisa autoritetet të lajmërojnë për hapjen e tyre. 
Santorini është përforcuar me zjarrfikës dhe personel mjekësorë nga ishulli i Naxosit. 

Të gjitha institucionet emergjente duke përfshirë spitalet madje edhe ushtria po qëndrojnë në gatishmëri në rast nevoje. Në rast të fatkeqësisë pritet ndihmë edhe nga institucionet emergjente në ishujt afër si dhe nga Athina, duke përfshirë edhe vendosjen e një linje komunikimi. 

Edhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka reaguar me një ton optimist gjatë takimit me ekspertët e mbrojtjes civile. Ai ka deklaruar se “si fillim, shteti i beson shkencës dhe shkencëtarëve, kemi bërë këtë edhe në kriza tjera”, 

“Të gjitha planet janë implementuar, forcat janë vendosur në Santorini dhe ishujt e tjerë, pra ne jemi gati për çdo rast, ne do të vazhdojmë kështu me shpresë të mirë se gjërat do të përmirësohen, dhe fenomeni do të qetësohet”, ka shtuar Mitsotakis.