Botë

Sanksionimi i SHBA-së i forcoi kolonët izraelitë në Bregun Perëndimor

Palestinezët

Palestinezë poshtë vendbanimit izraelit në jug të Hebronit në Bregut Perëndimor Foto: AP

Palestinezët thonë se zgjerimi i kampeve ushtarake izraelite është duke ua zvogëluar qasjen në tokë dhe dhuna e kolonëve, që janë sanksionuar nga SHBA-ja, ndaj tyre është rritur që nga sulmi i 7 tetorit nga Hamasi, që ka nisur luftën me Izraelin. Sanksionet i ndalojnë institucionet financiare dhe banorët në vend për t’i dërguar fonde një personi apo subjekti. Në disa raste u merret prona. Por për kolonët e sanksionuar këto implikime nuk kanë zgjatur shumë, me komunitetet që u kanë dhuruar para dhe që kanë organizuar mbledhje fondesh për ta

Disa javë pas sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yinon Levi ka hasur në probleme me pagesën e faturave, meqenëse jeton në një fermë në një kodër të Bregut të pushtuar Perëndimor. Por ky problem nuk ka zgjatur shumë.

Kur banka ia ka bllokuar xhirollogarinë, komuniteti i tij i ka mbledhur mijëra dollarë për të dhe ministri izraelit i Financave është zotuar të ndërhyjë në emër të kolonëve të sanksionuar. Dy muaj pas sanksionimit, Levit i është lejuar qasja në paratë e tij.

“Amerika ka menduar se do të na dobësojë, dhe në fund, ata na kanë bërë më të fortë”, ka thënë Levi, 31-vjeçar, nga ferma e tij në Kodrat e Hebronit Jugor – një nga dhjetëra vendosjet e paautorizuar në Bregun Perëndimor.

Levi është në mesin e 13 kolonëve izraelitë të shënjestruar nga sanksionet ndërkombëtare nën akuzat për sulme dhe ngacmime ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor. Masat janë ndërmarrë si pengesë dhe e përdorin bllokimin e aseteve dhe ndalimin e udhëtimeve e të vizave.

Por këto masa kanë pasur ndikim minimal, duke i inkurajuar kështu kolonët, ndërsa sulmet dhe grabitjet e tokave përshkallëzohen, sipas palestinezëve në Bregun Perëndimor, grupeve lokale të të drejtave dhe izraelitëve të sanksionuar.

Sanksionet i ndalojnë institucionet financiare dhe banorët në vend për t’i dërguar fonde një personi apo subjekti. Në disa raste u merret prona. Edhe pse bankat izraelite nuk janë të detyruara t’i bllokojnë xhirollogaritë, shumë prej tyre e bëjnë këtë për t’i ruajtur marrëdhëniet me bankat e tjera – kryesisht për sanksionet e SHBA-së – dhe për t’i ikur rrezikut.

Por për kolonët e sanksionuar, këto implikime nuk kanë zgjatur shumë, me komunitetet që u kanë dhuruar para dhe që kanë mbledhur fonde, duke fituar kështu mijëra dollarë. “Dhe ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, lider kolon i partisë së djathtë, ka thënë se ‘ai do të kujdeset për çështjen’ e njerëzve që po sanksionohen”, ka thënë kunati i Levit, Noam Federmani.

Smotrichi ka thënë, në një deklaratë me mesazh telefonik, se sanksionet janë “gabim trashanik i bërë nga administrata e Bidenit”. Ai nuk u është adresuar pyetjeve të bëra nëse ka intervenuar drejtpërdrejt për t’i zhbllokuar xhirollogaritë e kolonëve. Por ka thënë se veprimet e tij për zgjerimin e vendbanimeve janë të autorizuara dhe se qeveria është duke punuar me "miqtë në SHBA" për t’i anuluar ose ulur sanksionet.

Izraeli e ka pushtuar Bregun Perëndimor, Jerusalemin dhe Rripin e Gazës në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967. Rreth 500 mijë izraelitë janë vendosur në Bregun Perëndimor, e komuniteti i gjerë ndërkombëtar e cilëson prezencën e tyre aty ilegale. Por nën koalicionin e kryeministrit Benjamin Netanyahu – më i djathti në historinë e Izraelit, me vetë kolonët nëpër pikat kryesore – zgjerimi është bërë i pandalshëm.

Palestinezët thonë se zgjerimi i kampeve ushtarake izraelite është duke ua zvogëluar qasjen në tokë, si dhe dhuna e kolonëve ndaj tyre është rritur që nga sulmi i 7 tetorit nga Hamasi, që e ka nisur luftën me Izraelin. Toka e marrë përmes kampeve ushtarake të paautorizuara është dyfishuar që nga fillimi i luftës, sipas mbikëqyrësit të vendbanimeve, Kerem Navot.

Palestinezët që jetojnë në fshatra të vogla të rrethuara nga vendbanimet kodrinore thonë që kanë frikë se është vetëm çështje kohe para se të detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre.

Zyrtarët e SHBA-së në mënyrë të përsëritur i kanë shprehur shqetësimet e tyre për rritjen e dhunës nga kolonët, me presidentin amerikan Joe Biden që ka thënë se kjo çështje ka arritur “nivele të patolerueshme” kur i ka shpallur sanksionet. Izraeli ka thënë se është duke u bërë thirrje kolonëve të qetësohen dhe se është duke e hetuar dhunën. Por grupet e të drejtave e akuzojnë qeverinë dhe ushtrinë për bashkëpunim me kolonët.

Në mars, edhe vetë ushtria izraelite është ankuar për masën me të cilën qeveria ndërhyn në emër të kolonëve. Në një dokument të brendshëm të publikuar nga “The New York Times”, thuhet se ushtrisë i mohohet rregullisht autorizimi për të vepruar kundër ndërtimeve të paligjshme nga izraelitët dhe që autorizohet rregullisht të veprojë kundër palestinezëve.

Realiteti i sanksioneve

Tre kolonë të sanksionuar – Levi, Federmani dhe Elisha Yeredi – kanë thënë për Associated Press se masat kundër tyre, kanë qenë vetëm të bezdisshme.

Levi e ka ndërtuar fermën “Meitarim” në vitin 2021 në një kodër, anët e pjerrëta të së cilës u lënë vendin ultësirave ku fermerët beduinë - fise nomade arabe që kanë banuar historikisht në rajonet e shkretëtirës në Gadishullin Arabik, Afrikën e Veriut, Levanti dhe Mesopotami (Irak) - i kullosin delet. Ai ka thënë se ka dëshiruar ta mbronte këtë zonë nga palestinezët. 

“Dalëngadalë ndihesh sikur vozit në rrugët që gjithkush është duke i mbyllur për ty”, ka thënë ai. “Ata janë duke ndërtuar gjithandej, ku do që duan. Prandaj dëshiron të bësh diçka për këtë”.

Që nga atëherë, aktivistët kundër këtyre vendbanimeve thonë se më shumë se 300 njerëz nga fshatrat përreth janë shtyrë larg tokës së tyre. Levi ka thënë se toka është e tij dhe e mohon ashpërsisht se ia ka marrë dikujt tokën me zor.

Zyrtarët e SHBA-së e kanë sanksionuar atë në shkurt mbi akuzat se prej fermës së tij ai i ka drejtuar kolonët që i kanë ngacmuar palestinezët dhe beduinët, i kanë kërcënuar, i kanë djegur fushat dhe ua kanë shkatërruar pronat.

Levi ka thënë se banka izraelite i ka bllokuar xhirollogaritë e tij – që mbajnë 95 mijë dollarë – dhe brenda vetëm disa ditësh, ai nuk ka arritur ta paguante hipotekën e tij ose tarifat e shkollës dhe të aktiviteteve të fëmijëve të tij.

Shokët dhe të afërmit ia kanë dhuruar atij rreth 12 mijë dollarë, sipas tij, kur banka nuk e ka lejuar të tërhiqte para në mënyrë të kontrolluar – ai thërret për leje dhe ua shpjegon arsyen e çdo transaksioni. 
Një mbledhës fondesh në internet nga këshilli rajonal i zonës i ka mbledhur 140 mijë dollarë për Levin nga 3000 donatorë në mbarë botën. Pas raportimit nga AP-ja për mbledhjen e këtyre fondeve, Fondi “Mount Hebron” është sanksionuar gjithashtu nga SHBA-ja.

Që nga rimarrja e qasjes së tij në para, Levi ka thënë, se asnjëherë nuk i është refuzuar ndonjë kërkesë. Banka i ka dhënë atij limit mujor prej 8.000 dollarësh për tërheqje, por ai gati e ka dyfishuar atë që në javët e para.

Në një letër sqaruese drejtuar bankave të Izraelit në mars, Thesari i SHBA-së ka thënë se bankat mund të përpunojnë transaksione për njerëzit e sanksionuar për nevoja bazë si ushqimi dhe kujdesi shëndetësor.

Por Levi ka thënë se ai ka arritur të blinte ç’të donte – nuk ka specifikuar çka, por ka thënë se limiti nuk ka qenë vetëm “ushqimi ose pelenat”.

Përtej sanksioneve të kolonëve

Grupet lokale të të drejtave shpresojnë se sanksionet do t’i prekin edhe zyrtarët e Qeverisë izraelite, të cilët, sipas tyre, i inkurajojnë aktivitetet e kolonëve.

Kjo do të dërgonte një sinjal më të fortë të dënimit të Washingtonit, ka thënë Delaney Simoni, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

“Sanksionet kundër zyrtarëve qeveritarë kanë pasur efekt në vendet e tjera, duke shkaktuar ndalimin e bizneseve të firmave në këto vende”, ka thënë ajo.

Smotrichi, që jeton në vendbanimin Kedumim dhe u ka dhënë kompetenca të veçanta politikave e vendbanimeve si pjesë e marrëveshjes së koalicionit qeverisës, u ka thënë mediave izraelite në prill se do të merrte hapa për t’i ndihmuar kolonët e sanksionuar.

Kunati i Levit, Federmani, ka thënë se ka folur drejtpërdrejt me Smotrichin.
“Ai ka thënë se do të kujdeset për këtë çështje dhe nëse është e nevojshme, ta krijojë një ligj kundër interferencës së vendeve të tjera mbi xhirollogaritë izraelite”, ka thënë Federmani.

Gjatë një takimi të Kongresit të SHBA-së më 4 qershor me sekretaren e Thesarit, Janet Yellen, senatori Chris Van Hollen ka kërkuar sanksione kundër Smotrichit.

“Kjo është kontradiktë e drejtpërdrejtë ndaj politikës së SHBA-së”, ka thënë ai.

Britania e ka sanksionuar Federmanin në maj, nën akuzat se ai i ka trajnuar kolonët të kryejnë dhunë kundër palestinezëve, gjë që ai e ka mohuar. Ai ka thënë se nuk ka probleme me qasjen në para.
Avokati izraelit i të drejtave të njeriut, Eitay Mack, ka thënë se Komiteti Ndërkombëtar duhet t’i shënjestrojë organizatat që dhurojnë para për zgjerimin e vendbanimeve të kolonëve.

“Nëse komuniteti ndërkombëtar është serioz për gjetjen e zgjidhjes, ata duhet të merren me gjithçka që i jep sistemit para dhe legjitimitet”, ka thënë ai.

Aktivistët citojnë grupe të tilla si “Amana”, e cila i financon vendbanimet dhe e ruan mbikëqyrjen për disa nga fermat e Levit, sipas një kontrate. Ata gjithashtu tregojnë për grupin “Nachala”, i cili ka qëllim të deklaruar; t’i përmirësojë vendbanimet në Bregun Perëndimor dhe ka planifikuar haptazi ndërtimin e vendbanimeve të paautorizuara.

Pasojat për palestinezët

Në ndërkohë, palestinezët në Bregun Perëndimor thonë se sanksionet janë të kota.
Tetë palestinezë nga dy fshatra në Kodrat e Hebronit Jugor kanë thënë se janë duke u shtyrë akoma larg tokës së tyre, me disa që supozojnë se Levi i ka kërcënuar që nga sanksionimi.

Një burrë ka thënë se në shkurt, teksa ishte jashtë me delet e tij, Levi e kishte kërcënuar me armë, ia kishte treguar vendet ku i kishte dëbuar njerëzit dhe e kishte kërcënuar se do ta vriste nëse kthehej.
“Ai më ka thënë mua, ‘I kam dëbuar njerëzit nga Zanuta dhe ad-Dhahiriya ... Jam nga familje e fermës së njerëzve të nevrikosur”, ka thënë Ahmedi. Levi e ka mohuar këtë.

Ahmedi dhe palestinezët e tjerë kanë thënë se janë ngacmuar verbalisht dhe fizikisht, nuk mund të lëvizin lirshëm, përballen me motoçiklistë kolonë që ua rrethojnë pronat, makinat ose kuajt dhe spiunazh përmes dronëve.  

Disa nga palestinezët që kanë refuzuar të largohen nga zona rreth fermës së Levit thonë se toka e tyre është zvogëluar për 95% që nga themelimi i “Meitarimit”, duke i shkatërruar ekonomikisht.
Gjatë viteve të fundit, kolonët i kanë ndërruar taktikat e marrjes së tokës, ka thënë studiuesi Dror Etkes. Në vend që të krijojnë vendbanime për banorë, ata po krijojnë vendbanime bujqësore, të cilat përfshijnë më shumë tokë për kullotjen e kafshëve dhe nxisin më shumë dhunë sepse janë të hapura.

Etkes ka thënë se ka pasur kolaps të plotë të sundimit të ligjit në territor, me qeverinë izraelite që i mbron kolonët. Etkesi ka thënë gjithashtu se tokat që Levi kontrollon janë dyfishuar që nga lufta, nga 400 hektarë në 800.

Dhe kolonët thonë se ata vazhdojnë t’i zgjerojnë tokat.
Në një klub të improvizuar në majë të një kodre pranë vendbanimit Maskiyot në veri të Bregut

Perëndimor, Elisha Yeredi ka thënë se ka krijuar pesë vendbanime që nga viti 2021. Më e fundit është ndërtuar rreth një muaj përpara se ai të sanksionohej në prill nga Bashkimi Evropian.

Ai është figurë udhëheqëse për të rinjtë në “Hilltop” - grup adoleshentësh dhe të rinjsh hebrenj që i pushtojnë majat e kodrave dhe janë akuzuar për sulme ndaj palestinezëve dhe pronës së tyre. “Hilltop Youth” është sanksionuar gjithashtu nga Mbretëria e Bashkuar dhe BE-ja.

Urdhri i BE-së ka thënë se Yeredi, 23-vjeçar, ka qenë i përfshirë në sulme vdekjeprurëse ndaj palestinezëve. Është akuzuar për përfshirjen në vdekjen e një 19-vjeçari palestinez vitin e kaluar. Rreth kësaj çështjeje ka thënë se incidenti ka qenë për vetëmbrojtje dhe se nuk ka pasur të bënte me vdekjen e tij. Yeredi është arrestuar, por nuk është dënuar. 

Gjithashtu është sanksionuar nga Mbretëria e Bashkuar, e cila ka thënë se ai ka nxitur urrejtje dhe dhunë fetare, e se ka bërë thirrje për zhvendosje të palestinezëve.

Ai ka thënë se asgjë nuk i ka ndalur qëllimet për zgjerim të mëtutjeshëm të vendbanimeve.

“Vetëm një marrëveshje për tokën do të sjellë siguri”, ka thënë Yeredi. “Kushdo që mendon se kjo do të na ndalojë neve, gabon. Ne u kemi mbijetuar situatave akoma më të rënda se kjo.