Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, është thirrur për të dëshmuar në një hetim në lidhje me akuzat për korrupsion dhe për ndikim, kundër gruas së tij, që e shtynë atë të konsideronte dorëheqjen në prill, ka bërë të ditur gjykata të hënën.
Sanchezi do të intervistohet nga gjyqtari hetues Juan Carlos Peinado në rezidencën e tij zyrtare, pallatin Moncloa, më 30 korrik, sipas gjykatës, raporton Reuters.
Procedurat janë pjesë e një hetimi paraprak nëse gruaja e Sanchezit, Begona Gomez, përdori pozicionin e saj si gruaja e kryeministrit për të siguruar sponsorë për një kurs masteri universitar që ajo drejtoi.
Peinado ka thënë se dëshmia e Sanchezit do të ishte "e përshtatshme, e dobishme dhe e rëndësishme" për hetimin, për të përcaktuar nëse ajo kishte ushtruar ndikim. Gomezi doli para gjykatësit të premten, por nuk pranoi t'u përgjigjej pyetjeve.
Ajo nuk ka komentuar publikisht për rastin, por Sanchezi ka mohuar me forcë akuzat ndaj saj, duke thënë se ato ishin të pabaza dhe të orkestruara nga armiqtë politikë të krahut të djathtë.
Në prill, kreu socialist mori një pushim pesë-ditor nga detyrat e tij për të peshuar nëse do të jepte dorëheqjen pasi gjykata hapi hetimet, por në fund ai vendosi të qëndrojë në detyrë.
Është hera e parë që një kryeministër spanjoll thirret për të dëshmuar në një çështje gjyqësore që kur Mariano Rajoy u thirr si dëshmitar në vitin 2017 në një çështje korrupsioni që çoi në dënimin e disa anëtarëve të Partisë së tij konservatore Popullore.