Botë

Samiti i G7-s në Itali - Pjesëmarrësit, agjenda dhe çështjet kryesore të diskutuara

samiti

Udhëheqësit e G7-s, që përbëhet nga vendet më të industrializuara, kanë nisur  të enjten në Itali samitin e tyre vjetor. Gjatë tri ditëve të Samitit u diskutua për një sërë temash,  përfshirë  luftërat në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme,  migracionin si dhe për politikën industriale të Kinës.

Përtej diskutimeve, për herë të parë në Samit ka marrë pjesë edhe Papa Françesku, i cili ka mbajtur një falim për përfitimet dhe rreziqet e inteligjencës artificiale.

Në nismë u pajtuan që Ukrainës t’i japin hua prej 50 miliardë dollarësh nga asetet e ngrira ruse.

Kjo marrëveshje politike ishte pjesa kryesore e ditës së hapjes së samitit vjetor të liderëve të G7-s, ku mori pjesë për të dytin vit radhazi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Ai tha se ka nënshkruar një marrëveshje sigurie 10-vjeçare me Japoninë dhe se Japonia do t'i sigurojë Ukrainës 4.5 miliardë dollarë këtë vit. Zelensky gjithashtu gjatë së enjtes ka  nënshkruar një marrëveshje të re afatgjate sigurie me Presidentin e SHBA-së, Joe Biden.

Plani i G7-s për Ukrainën bazohet në një hua shumëvjeçare duke përdorur fitime nga rreth 300 miliardë dollarë fonde ruse të sekuestruara.

Detajet teknike do të finalizohen në javët e ardhshme, ka thënë një burim diplomatik i G7-s për Reuters. Burimi, i cili kërkoi të mos përmendet, tha se fondet shtesë do të mbërrinin deri në fund të këtij viti.

Qëllimi i marrëveshjes është të sigurohet që ajo të mund të funksionojë për vite, pavarësisht se kush është në pushtet në çdo shtet të G7-s.

Udhëheqësit kanë kthyer vëmendjen te migrimi në ditën e dytë të Samitit të shtatë vendeve më të industrializuara të botës. Ata kanë kërkuar mënyra se si ta luftojnë trafikimin dhe t’i rrisin investimet në vendet nga ku emigrantët udhëtojnë.

Migrimi është me interes të veçantë për Italinë mikpritëse të Samitit, e cila shtrihet në një nga rrugët kryesore për në Bashkimin Evropian, që shfrytëzohet nga njerëzit të cilët ikin nga lufta dhe varfëria në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Azi.

Kryeministrja italiane e krahut të djathtë, Giorgia Meloni, shprehu prirjen për të rritur investimet dhe financimin për kombet afrikane, si mjet për të reduktuar presionin e migrimit në Evropë.

“Italia dëshiron t’i  kushtojë hapësirë të mjaftueshme një kontinenti tjetër që është thelbësor për të ardhmen e të gjithë neve, që është Afrika”, ka theksuar Meloni.

Kryeministrja italiane ka firmosur një marrëveshje të diskutueshme pesëvjeçare me Shqipërinë fqinje, e cila ka marrë përsipër të presë mijëra azilkërkues, ndërkohë që Italia e financon.

Sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët, UNHCR, më shumë se 22 mijë njerëz kanë mbërritur në Itali nëpërmjet detit, që nga fillimi i vitit 2024.

Udhëheqësit e G7-ës kanë diskutuar edhe për hapat shtesë që do të ndërmarrin për ta mbrojtur ekonominë e tyre nga politika industriale e Kinës.

Mbështetja e Kinës për Rusinë po “mundëson” luftën e saj në Ukrainë, kanë thënë liderët e ekonomive të mëdha, ndërsa kërcënuan me sanksione akterët që mbështesin Moskën.

Paralajmërimi, i lëshuar në fund të samitit vjetor të shteteve të G7-s në Itali, vjen ndërsa SHBA-ja po rrit përpjekjet diplomatike për të bindur Evropën të marrë qëndrim më të ashpër ndaj Kinës lidhur me rolin e saj në ndihmën ushtarako-industriale të Rusisë.

“Mbështetja e vazhdueshme e Kinës për bazën industriale të mbrojtjes ruse po i mundëson Rusisë ta vazhdojë luftën e saj në Ukrainë dhe ka ndikime të thella në siguri”, thuhet në deklaratën e udhëheqësve të G7-s.

Ata i kanë bërë thirrje Kinës që të ndalojë transportimet e materialeve që përfshijnë armë dhe pajisje luftarake.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni përmblodhi  diskutimet  e samitit të G7 në një video-deklaratë pas takimit të fundit të grupit.

Deklarata e saj erdhi pasi një komunikatë përfundimtare u lëshua nga të gjitha vendet e G7-s, në të cilën ata pohuan mbështetjen e tyre për Ukrainën, bënë thirrje për armëpushim në Gaza dhe njoftuan  hapat e parë të  nismave për të luftuar kontrabandën e njerëzve.

Meloni përsëriti vendimin e liderëve të G7 për të vënë në dispozicion të Ukrainës rreth 50 miliardë dollarë duke shfrytëzuar të ardhurat nga asetet e ngrira ruse.

Për luftën Izrael-Hamas në Gaza, Meloni theksoi se liderët qëndrojnë të bashkuar në mbështetjen e një marrëveshjeje që do të çonte në një armëpushim të menjëhershëm, lirimin e të gjithë pengjeve dhe një rrugë që çon në një zgjidhje me dy shtete.

Ata gjithashtu bënë thirrje për një rritje të ndihmës humanitare për territorin palestinez sipas deklaratës përfundimtare.

Për migracionin, Meloni konfirmoi se udhëheqësit e G7 do të punojnë me vendet e origjinës dhe tranzitit për t’u marrë me shkaqet rrënjësore të migrimit të parregullt, për të përmirësuar menaxhimin e kufijve, për të luftuar rrjetet e kontrabandës me njerëz.

E Papa Françesku u bë papa i parë që iu drejtua një samiti të shtatë vendeve më të industrializuara në botë (G7), duke paralajmëruar liderët botërorë se Inteligjenca Artificiale nuk duhet të lejohet kurrë të ketë epërsi mbi njerëzimin.

Papa tha Inteligjenca Artificiale përfaqëson një “transformim epokal” për njerëzimin, por theksoi nevojën për mbikëqyrje të ngushtë të teknologjisë gjithnjë në zhvillim, për të ruajtur jetën dhe dinjitetin njerëzor.

Anëtarë të G7-s janë: Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Gjermania, Franca, Italia dhe Japonia.

Të ftuar të tjerë ishin edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ai brazilian, Luiz Inácio Lula da Silva, ai turk, Reccep Tayip Erdogan, dhe kryeministri indian, Narendra Modi.