Botë

Samiti i Bidenit i NATO-s, një shans për të treguar që ai ende mund të udhëheqë

Joe Biden

Joe Biden

Foto: Associated Press

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden mirëpret krerët e vendeve anëtare të NATO-s në Washington të martën për një samit vjetor, që shënon edhe 75-vjetorin e themelimit të aleancës.

Samiti mendohet se do t’i japë mundësinë demokratit të kundërshtuar për zgjedhje, një skenë ndërkombëtare për të bindur aleatët brenda dhe jashtë vendit se ai ende mund të udhëheqë.

Biden, 81 vjeç, është zotuar se do të vazhdojë në garën e tij kundër republikanit Donald Trump, 78 vjeç, pavarësisht shqetësimit të demokratëve në Capitol Hill dhe donatorëve, se ai do të humbasë zgjedhjet e 5 nëntorit në SHBA, pas një debati më 27 qershor në CNN.

Trumpi ka lënë të kuptohet se duke pasur parasysh një mandat të dytë, ai nuk do të mbronte anëtarët e NATO-s që nuk përmbushin objektivin e shpenzimeve të mbrojtjes të aleancës prej 2% të PBB-së së secilit anëtar, nëse do të sulmoheshin ushtarakisht. Ai ka vënë në dyshim sasinë e ndihmës që i është dhënë Ukrainës në betejën e saj kundër pushtimit rus.

Fjalimi hapës i Bidenit në samitin dy ditor të NATO-s do të nxjerrë në pah atë që administrata e tij e sheh si një arritje kyçe, thanë ndihmësit: një NATO më e fortë dhe më e bashkuar, nën udhëheqjen e Washingtonit, me më shumë anëtarë, dhe një vendosmëri për të mbrojtur nevojat e tyre të sigurisë kolektive.

Ata e shohin Bidenin duke prodhuar rezultate të prekshme për votuesit amerikanë: një vend më i sigurt, me një pozicion të fortë ekonomik ndërkombëtar, më shumë aleanca, dhe fuqi jashtë vendit dhe më pak në rrezik konflikti me kundërshtarët e tij.

Prania e liderëve nga NATO-ja dhe më gjerë tregon fuqinë e Bidenit për të mbledhur koalicione dhe për të frymëzuar besim, thanë ndihmësit, argumente që Trumpi dhe shumë nga aleatët e tij republikanë i hedhin poshtë.

NATO-ja, në 75-vjetorin e saj është zgjeruar, duke mirëpritur Finlandën dhe Suedinë si anëtarë të rinj.

Udhëheqësit e NATO-s përballen me pasiguri politike në Evropë, me një paralizë në Francë pas fitores për partitë e majta dhe të djathta ekstreme, derisa koalicioni i kancelarit gjerman Olaf Scholz u dobësua pas një paraqitjeje të dobët në zgjedhjet e Parlamentit Evropian.

Ngjarjet e javës në Washington do t'i japin Biden një shans për t'iu përgjigjur shqetësimeve, duke përfshirë një fjalim të profilit të lartë të martën dhe një konferencë të rrallë për shtyp të enjten.

Bideni do të theksojë gjithashtu mbështetjen e re për Ukrainën. Gjatë samitit, liderët e NATO-s pritet të miratojnë një nismë sipas së cilës aleanca do të koordinojë furnizimet me armë dhe trajnimin për forcat ukrainase që luftojnë pushtimin rus. Nga ky samit, Ukraina po ashtu mund të marrë më shumë mbështetje në mbrojtjen ajrore.

Ukraina dëshiron anëtarësimin në NATO për të shmangur sulmet e mëtejshme të ardhshme nga Rusia, por anëtarët e rinj duhet të miratohen nga të gjithë anëtarët e aleancës, disa prej të cilëve janë të kujdesshëm duke mos rrezikuar të provokohet një luftë e drejtpërdrejtë me Rusinë.

Moska e sheh NATO-n si një mjet për dominimin e SHBA-së dhe e ka akuzuar aleancën për kthimin në një mentalitet të Luftës së Ftohtë.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se samiti do t'i ofrojë Ukrainës një "urë drejt anëtarësimit", e cila do të përfshijë përpjekjen e re të NATO-s për të koordinuar furnizimet me armë dhe trajnimin.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy pritet të marrë pjesë dhe të takohet me Bidenin.