Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka evituar të martën pyetjet lidhur me anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës në aleancën ushtarake.
Duke folur para gazetarëve në Bruksel përpara një takimi të ministrave të Jashtëm të NATO-s, Rutte ka thënë se prioriteti tani duhet të jetë forcimi i Ukrainës para çdo bisede të ardhshme të paqes me Rusinë.
Deklarata e tij vjen disa ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është shprehur se shtrirja e anëtarësimit në aleancë të territorit tani nën kontrollin e Kievit mund t'i japë fund "fazës së nxehtë" të luftës pothuajse trevjeçare në Ukrainë, raporton AP.
Në samitin e tyre në Uashington në korrik, udhëheqësit e 32 vendeve anëtare të NATO-s këmbëngulën se Ukraina është në një rrugë "të pakthyeshme" drejt anëtarësimit. Por disa vende janë kundër anëtarësimit teksa lufta vazhdon dhe pa u përcaktuar qartë kufijtë.
NATO-ja është themeluar mbi parimin se një sulm ndaj çdo aleati duhet të konsiderohet si një sulm ndaj të gjithëve, dhe aleanca vazhdimisht është përpjekur të shmangë tërheqjen në një luftë më të gjerë me Rusinë e armatosur me armë bërthamore.
Zelensky ka argumentuar se sapo të përfundojë konflikti i hapur, çdo propozim për t'u bashkuar me NATO-n mund të shtrihet në të gjitha pjesët e vendit që bien nën kufijtë e njohur ndërkombëtarisht.
I shtyrë për këtë nga gazetarët, Rutte ka thënë se hapi i parë duhet të jetë "të sigurohet që Ukraina të ketë atë që i nevojitet për të arritur në një pozicion të fortë kur të fillojnë bisedimet për paqen".