Botë

Rutte: Manovrat ushtarake të Kinës janë shqetësuese

Mark Rutte

Foto: Associated Press

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka ngritur shqetësime mbi rritjen e ushtrisë kineze dhe manovrat e saj afër Tajvanit, duke u bërë thirrje anëtarëve të aleancës dhe vendeve të tjera që të punojnë së bashku për të mbajtur të hapura dhe të lira lundrimet detare në rajon.

“Kina është duke i mbështetur përpjekjet e luftës së Rusisë. Kina po i rrit forcat e saj të armatosura, përfshirë flotën, në shpejtësi të madhe”, ka deklaruar Rutte para gazetarëve gjatë vizitës së tij në portin detar të marinës japoneze në Yokosuka të martën.

Japonia e konsideron Kinën si kërcënim për rajonin, teksa ka shtuar përpjekjet në vitet e fundit për të konsoliduar kapacitetet e saj ushtarake, transmeton agjencia e lajmeve AP.

Rutte i ka shuar shqetësimet mbi garancitë e sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon, tek ka thënë se SHBA-ja i ka kërkuar NATO-s të jetë më e përfshirë në çështjet e Azi-Paqësorit.

“Unë jam këtu për të zgjeruar lidhjet tona me IP4 (Katërshja e Indo-Pacifikut që përbëhet nga Japonia, Koreja e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re)”, ka thënë tutje ai.

Rutte pritet të takohet me kryeministrin e Japonisë, Shigeru Ishiba, të mërkurën në Tokio.