Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar të shtunën se rritja e buxhetit nga vendet evropiane për fushën e mbrojtjes është vetëm hapi i parë, pasi sipas tij, prodhimi i armatimit është i domosdoshëm në rrethanat aktuale, raporton Reuters
“Ne duhet të shpenzojmë më shumë për të qenë të sigurt”, ka thënë Rutte për gazetën gjermane “Welt am Sonntag”. “Por neve na duhet po ashtu që të rrisim prodhimin e armatimit në të dyja anët e Atlantikut...për një kohë shumë të gjatë, ne kemi prodhuar tepër pak”.
Aleanca veriatlantike (NATO) përfshin kryesisht vende anëtare nga Evropa, si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me Kanadanë.
Liderët evropianë u takuan të enjten në samitin e Brukselit, për t’u zotuar se do të qëndrojnë në krah të Ukrainës dhe se do të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen, pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për t’i ngrirë përkohësisht ndihmat ushtarake ndaj Ukrainës.