Botë

Rusisë nuk i pëlqen riemërimi i Von der Leyenit si presidente e Komisionit Evropian

Peskov

Dmitry Peskov

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, të premten ka kritikuar riemërimin e Ursula von der Leyen si presidente të Komisionit Evropian për një mandat të dytë, si dhe kandidaturën e ish-kryeministres estoneze Kaja Kallas për ta udhëhequr diplomacinë e Bashkimit Evropian.

“Von der Leyen është e njohur mirë si dikush që nuk është mbështetëse e normalizimit të marrëdhënieve midis BE-së dhe Rusisë, kështu e kujtojmë atë”, ka thënë Peskov.

Duke folur për Kallasin, zëdhënësi i Kremlinit ka thënë se ajo ende nuk ka shfaqur prirje diplomatike dhe njihet “për deklaratat absolutisht të papajtueshme dhe ndonjëherë edhe rusofobike”, transmeton RIA Novosti.

Perspektivat për marrëdhëniet midis Moskës dhe Brukselit janë të këqija, shtoi Peskov.

“Ne nuk mendojmë se diplomacia evropiane do të funksionojë disi në drejtim të normalizimit të marrëdhënieve”, u shpreh Peskov, duke iu përgjigjur pyetjes se si Kremlini i percepton ndryshimet e personelit në BE.

Në ditën e parë të samitit të Këshillit Evropian, liderët e BE-së zgjodhën ish-kryeministrin portugez Antonio Costa si president të Këshillit Evropian dhe emëruan Von der Leyenin si kandidate për mandatin e ri në krye të Komisionit Evropian, dhe Kallasin si përfaqësuese të Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

Emërimi i Von der Leyenit dhe Kallasit duhet të konfirmohet nga Parlamenti Evropian. Nga ana tjetër, vetë Këshilli Evropian zgjedh presidentin.