Botë

Rusia zbulon variantin e ri të koronavirusit, më të përhapshëm se Delta

Rusia ka raportuar për “raste të izoluara” të infektimit me një nënvariant të Deltës që besohet të jetë edhe më i përhapshëm, ka bërë të ditur të enjten një studiues i lartë i mbikëqyrësit shtetëror të konsumatorit.

Studiuesi Kamil Khafizov ka thënë se nënvarianti AY.4.2 mund të jetë rreth 10 për qind më i përhapshëm sesa Delta, i cili ka nxitur ngritjen drastike të numrit të rasteve të reja dhe të vdekjeve gjatë ditëve të fundit në Rusi, ka raportuar agjencia e lajmeve Reuters.

“Vaksinat janë mjaftueshëm efikase kundër këtij varianti të virusit, i cili nuk është aq i ndryshëm saqë ta ndryshojë në mënyrë dramatike aftësinë për t’iu shmangur antitrupave”, ka theksuar ai për agjencinë.

Nënvarianti AY.4.2 është duke u shtuar edhe në Angli dhe veçse e numëron rreth 6 përqindëshin e të gjitha sekuencave të gjeneruara në javën pas 27 shtatorit, ka raportuar Agjencia britanike e Sigurisë në Shëndet, në njoftimin e publikuar më 15 tetor.

Ministri britanik i Shëndetësisë, Sajid Javid, ka bërë të ditur të mërkurën se nuk ka arsye për të besuar se ky nënvariant përbën rrezik më të madh sesa Delta.

Imunologu rus, Nikolay Kryuchkov, ka thënë se Delta dhe nënvariantet e tij do të mbesin dominues dhe se në të ardhmen mund të përshtaten në disa mënyra me vaksina, veçmas në vendet ku shkalla e vaksinimit edhe nën apo pak mbi 50 për qind.

“Por më duket se një kërcim revolucionar nuk do të ndodhë, ngase koronavirusi, sikurse çdo organizëm, e ka një kufi të evoluimit, dhe kërcimi evolues veçse ka ndodhur”, ka thënë ai për Reutersin.

Ministria ruse e Shëndetësisë nuk e ka komentuar rastin.

Kryebashkiaku i Moskës ka shpallur të enjten masat më të ashpra të izolimit që nga qershori i vitit të shkuar, një ditë pasi që presidenti Vladimir Putin e miratoi propozimin qeveritar për mbylljen njëjavore të vendeve të punës gjatë fillimit të nëntorit.