Mbrojtja ajrore ruse ka njoftuar se ka zmbrapsur një sulm masiv me dronë ukrainas gjatë natës. Rusia pretendon se ka shkatërruar 121 prej dronëve, që në shënjestër thuhet se kishin 13 rajone, përfshirë Moskën. Lajmin për sulmin e bëri të ditur të premten Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, duke mos përmendur viktima apo dëme, raporton Reuters.
Ministria ka njoftuar se gjashtë dronë ishin shkatërruar në rajonin e Moskës, ndërsa dronët e tjerë kishin shënjestruar rajone të tjera, duke përfshirë ato që kufizohen me Ukrainën dhe Kurskun, ku trupat ukrainase kanë në kontroll një pjesë të tokës.
Sipas Ministrisë njëzet dronë kishin shënjestruar rajonin Ryazan, në juglindje të Moskës. Kanalet në aplikacionin e mesazheve Telegram postuan video të paverifikuara të asaj që blogerët i përshkruan si flakë të mëdha në qytet. Ata thanë se një depo e naftës dhe një termocentral ishin goditur.
Ndërkohë, forcat ajrore të Ukrainës njoftuan të premten se kishin luftuar gjithashtu një sulm me dronë rus dhe kishin rrëzuar 25 nga 58 dronët e nisur nga Rusia në një sulm gjatë natës.
Ministria e Brendshme e Ukrainës bëri të ditur se nga mbetjet e dronëve kanë mbetur të vrarë dy burra dhe një grua në rajonin qendror të Kievit. Raportohet edhe për një person të lënduar.
Duke komentuar dëmet e shkaktuara nga sulmet me dronë të Ukrainës, Andriy Kovalenko, kreu i qendrës së Ukrainës për luftimin e dezinformatave, shkroi në Telegram se një rafineri nafte në Ryazan ishte goditur e po ashtu edhe fabrika “Kremniy” në Bryansk, për të cilën Kievi thotë se prodhon mikroelektronikë për armët ruse.
Reuters nuk mundi t'i konfirmonte këto raporte, por agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA citoi një deklaratë nga fabrika Kremniy që thoshte se puna në fabrikë ishte pezulluar pas një sulmi nga gjashtë dronë që nuk lënduan askënd. Agjencia e lajmeve Interfax citoi zyrtarët lokalë të thonë se një pastrim po zhvillohet pasi copëzat e dronëve goditën një fabrikë.
Pavel Malkov, guvernatori rajonal i Ryazanit, ka theksuar në Telegram se shërbimet e urgjencës po trajtonin pasojat.