Botë

Rusia thotë se s’do të shkëmbejë territoret e Kurskut me territoret e pushtuara ukrainase

Dmitry Peskov

Dmitry Peskov (Foto: AP)

Kremlini zyrtar ka refuzuar planin e presidentit të Ukrainës Volodomyr Zelensky për të shkëmbyer territoret e pushtuara nga Ukraina në rajonin e Kurskut, me territoret e pushtuara ukrainase me qëllim të përfundimit të luftës.

Zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Putin, Dmitry Peskov, ka thënë nuk do të konsiderojë kurrë shkëmbimin e territoreve të pushtuara në Ukrainë me pjesë të rajonit të Kurskut, duke refuzuar propozimin e Volodomyr Zelenskyt, raporton The Guardian.

“Ne do të shkëmbejmë një territor për një tjetër”, ka thënë Zelensky të martën në një intervistë për “The Guardian”, duke shtuar se nuk e dinte akoma se cilën pjesë të territorit të Ukrainës ta kërkonte në shkëmbim. “Unë nuk e di, mbetet të shihet. Por të gjitha territoret tona janë të rëndësishme, nuk ka ndonjë prioritet” ka shtuar ai.

Peskov iu ka thënë gazetarëve se “Rusia kurrë nuk ka diskutuar dhe nuk do të diskutojë për shkëmbime të territorit të saj”.

Sipas një burimi të hapur të grupeve monitoruese, Rusia ka rifituar gjysmën e territorit të humbur në rajonin e Kurskut, duke kontrolluar në ndërkohë afërsisht 20% të territorit të Ukrainës. 

Të dy ushtritë janë përfshirë në luftime të ashpra dhe të përgjakshme për të kontrolluar rajonin e Kurskut, tanimë një fushëbetejë kyçe në fazat e vonshme të luftës.