Qindra ushtarë rusë janë tërhequr nga pozicionet e tyre përgjatë kufijve të Armenisë, ka konfirmuar Kremlini, duke konfirmuar përçarjen e madhe midis dy vendeve që dikur ishin aleate, shkruan Politico.
Rojet kufitare ruse janë tërhequr nga rajonet e Tavush, Syunik, Vyats Dzor, Gegharkunik dhe Ararat, të cilët kanë qëndrurar përgjatë kufirit me Azerbajxhani fqinj.
Njoftimi vjen një ditë pasi kryeministri armen Nikol Pashinyan u takua me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë për të diskutuar “çështjet më të rëndësishme dypalëshe dhe çështjet rajonale”.
I pyetur nëse tërheqja e rojeve kufitare ruse, zyrtarisht pjesë e shërbimit të sigurisë së Rusisë, FSB, ishte diskutuar në takim, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskova ka thënë “po”.
Të dielën, kolona të gjata me automjete ushtarake ruse u panë duke u larguar nga rajonet kufitare të Armenisë, duke u nisur drejt kryeqytetit Jerevan.
Marrëdhëniet midis Moskës dhe ish-republikës sovjetike kanë shënuar rënie historike vitet e fundit. Aleanca ushtarake e CSTO-së e udhëhequr nga Rusia, anëtare e së cilës është Armenia, refuzoi kërkesat e Jerevanit për të ndërhyrë kur Azerbajxhani filloi ofensivë në shtator të vitit 2022.
Pashinyan ka akuzuar gjithashtu paqeruajtësit rusë, të dislokuar në rajonin separatist të Nagorno-Karabakhut të Azerbajxhanit pas një lufte në vitin 2020, për braktisjen e pozicioneve kur trupat e Azerbajxhanit nisën ofensivën për të pushtuar territorin, duke shkaktuar eksod masiv të 100 mijë banorëve etnikë armenë.
Ministria e Jashtme e Armenisë ka thënë të se nuk do të japë më kontribute financiare në CSTO, pasi ka ngrirë efektivisht anëtarësimin. Përveç Rusisë, blloku ushtarak përfshin Bjellorusinë, Kazakistanin, Kirgistanin dhe Taxhikistanin.
Në vend të kësaj, Armenia ka mbajtur stërvitje të përbashkëta me forcat amerikane, ka dërguar ndihma humanitare në Ukrainë dhe madje ka lënë të kuptohet se një ditë mund të aplikojë për anëtarësim në BE.
Pashinyan ka kërkuar gjithashtu të nënshkruajë marrëveshje për demarkacionin dhe delimitimin e kufirit me Azerbajxhanin, duke ofruar katër fshatra në rajonin e Tavushit që janë pjesë e Azerbajxhanit të njohur ndërkombëtarisht, por të pushtuara nga Armenia që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.