Botë

Rusia sulmon Kievin pak para bisedimeve të paqes në Arabinë Saudite

Ukraine

Foto: Associated Press

Rusia ka nisur një sulm vdekjeprurës me dronë në Kiev përpara bisedimeve për armëpushim në Arabinë Saudite

Të paktën tre persona janë vrarë, përfshirë një fëmijë pesëvjeçar si pasojë e sulmit, kanë bërë të ditur zyrtarët ukrainas, raporton The Guardian.

Administrata ushtarake e qytetit të Kievit të Ukrainës ka dhënë shifrat e viktimave duke thënë se të paktën 10 persona të tjerë janë plagosur, me dronët që shkaktuan disa zjarre në të gjithë qytetin.

Dy ndërtesa banimi në rrethin e Dnipros kanë marrë flakë për shkak të rënies së mbeturinave të dronit, ndërsa një zjarr ka shpërthyer në katet e fundit të një ndërtese 9-katëshe në kryeqytet, duke vrarë një grua. 

"Sot, rusët po demonstrojnë edhe një herë ‘dëshirën e tyre për paqe’", ka thënë Tymur Tkachenko, kreu i administratës ushtarake të qytetit të Kievit.

Sulmi ka ndodhur pak përpara bisedimeve të planifikuara për armëpushim midis zyrtarëve amerikanë dhe ukrainas në Arabinë Saudite të dielën më vonë, të cilat do të udhëhiqen nga Andreë Peek i këshillit të sigurisë kombëtare dhe Michael Anton i departamentit të shtetit.

Pasi zyrtarët amerikanë të takojnë ukrainasit këtë mbrëmje, ata do të takojnë zyrtarët rusë në Arabinë Saudite të hënën, raporton Reuters. Zyrtarët ukrainas pritet të jenë në bisedimet që përfshijnë zyrtarë amerikanë dhe rusë, por nuk do të jenë në të njëjtën dhomë me rusët.

Në bisedime, delegacioni ukrainas pritet të ofrojë një listë të infrastrukturës energjetike që do të ishte e ndaluar për sulme nga ushtria ruse.

Ekspertët rusë dhe amerikanë do të diskutojnë gjithashtu mënyrat për të garantuar sigurinë e transportit detar në Detin e Zi, ka njoftuar Kremlini.

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe homologu i tij ukrainas Volodymyr Zelensky tashmë kanë rënë dakord për një armëpushim të pjesshëm që mbulon energjinë dhe infrastrukturën civile, por Moska dhe Kievi kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes.