Forcat ruse kanë sulmuar infrastrukturën energjetike në rajonin jugor të Mykolaiv, duke lëshuar 56 dronë dhe një raketë në një sulm gjatë natës në Ukrainë.
Guvernatori rajonal i Mykolaiv, Vitaliy Kim ka thënë në një deklaratë në Telegram se sulmi ka ndërprerë energjinë për disa konsumatorë, teksa ka shtuar se nuk ka viktima, raporton Reuters.
Forcat ajrore ukrainase raportuan gjithashtu pesë goditje në objektet e infrastrukturës në rajonet afër vijës së frontit.
Kim ka thënë se 22 dronë u rrëzuan dhe se humbën gjurmët e 27 dronëve. Dy dronë të tjerë ranë në Bjellorusi.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko ka thënë se mbeturinat e dronëve ranë në tokën e një kopshti fëmijësh në kryeqytet.
Autoritetet në Kiev dhe rajonin përreth nuk raportuan për dëme në infrastrukturën kritike apo viktima pas sulmit.
Autoritetet rajonale në rajonin verilindor Sumy kanë thënë se një sulm me dron shkaktoi një zjarr në një ndërtesë administrative dhe dëmtoi dy vetura.
Forcat ruse kanë goditur infrastrukturën kritike në qytetet ukrainase përpara muajve të dimrit, duke bërë që udhëheqja e Kievit të intensifikojë lutjet për mbrojtje shtesë ajrore nga aleatët e saj.
Rusia mohon të ketë shënjestruar civilë, megjithëse ka vrarë mijëra gjatë më shumë se 2 e gjysmë vjet lufte.