Kremlini zyrtar ka konfirmuar se forcat ruse do të synojnë t’i godasin instruktorët francezë në Ukrainë (të cilët Parisi po diskuton t’i dërgojë në Kiev), si dhe çdo ushtar apo instruktor tjetër armik.
“Asnjë instruktor i vetëm i përfshirë në trajnimin e ushtarëve ukrainas nuk është i imunizuar nga sulmet”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke shtuar se “është e parëndësishme nëse ata janë francezë apo jo”.
Javën e kaluar, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Ukrainës, Oleksandr Sirsky, ka thënë se Franca do të dërgojë “së shpejti” instruktorë për të trajnuar trupat ukrainase, që po përballen me ofensivë ruse nga shkurti 2022.
Menjëherë pas kësaj, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës specifikoi se dërgimi i instruktorëve ishte “ende duke u diskutuar” me Francën dhe vendet e tjera.
Zyrtarisht, Franca nuk ka ushtarë që ndihmojnë apo trajnojnë forcat ukrainase në Ukrainë.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka folur vazhdimisht për mundësinë e dërgimit të trupave perëndimore për të ndihmuar Kievin, gjë që ka tërhequr kundërshtimin e aleatëve si dhe zemërimin nga Rusia.
Plani për një koalicion evropian të instruktorëve ushtarakë për të trajnuar ushtarët ukrainas në Ukrainë, të cilin Franca e dëshiron, po diskutohet mes evropianëve, por duket se është larg realizimit. Shumë vende po pyesin se cilat mund të jenë pasojat e një vendimi të tillë në lidhje me Moskën.