Britania e Madhe, ku dhe ishte helmuar me polonium-210 ish-agjenti i KGB-së, prej kohësh e kishte fajësuar Moskën për rastin, ndërsa Gjykata Evropiane në Strasburg të Francës është dakorduar të martën, duke pretenduar se “vrasja e tij i atribuohet Rusisë”. Ky konkludim ka nxitur menjëherë reagimin e Kremlinit
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka konkluduar të martën se Rusia është përgjegjëse për vrasjen e ish-agjentit të KGB-së, Alexander Litvinenko, i cili ka përjetuar vdekje torturuese më 2006 pasi ishte helmuar në Londër me një substancë të rrallë radioaktive.
Litvinenko, një dezertor që do të kthehej në kritik të zëshëm të Kremlinit, ka vdekur tri javë pasi ka pirë çaj jeshil në të cilin ishte hedhur polonium-210, në një hotel luksoz të Londrës.
Britania e Madhe prej kohësh e kishte fajësuar Moskën për rastin, ndërsa Gjykata Evropiane në Strasburg të Francës është dakorduar të martën, duke pretenduar se “vrasja e Litvinenkos i atribuohet Rusisë”. Ky konkludim ka nxitur menjëherë reagimin e Kremlinit.
Pamjet e Litvinenkos, 43-vjeçar, të shtrirë në spitalin e Kolegjit Universitar të Londrës, me fytyrë të zverdhur, i dobësuar dhe me flokët e rënë, kishin zënë vend në të gjitha gazetat britanike dhe ato perëndimore.
Nga shtrati i tij i vdekjes, Litvinenko u kishte thënë detektivëve se besonte që presidenti rus, Vladimir Putin – edhe vetë një ish-agjent i KGB-së – e kishte urdhëruar drejtpërsëdrejti vrasjen e tij, një akuzë kjo të cilën Kremlini e ka mohuar.
Përdorimi i izotopit të rrallë radioaktiv në rrugët e Londrës ka tensionuar rëndë marrëdhëniet mes Londrës e Moskës dhe ka thelluar mosbesimin e Perëndimit në Kremlinin.
Një hetim britanik kishte konstatuar më 2016 se ish-truproja e KGB-së, Andrei Lugovoy, dhe një tjetër shtetas rus, Dmitry Kovtun, kanë ndërmarrë vrasjen si pjesë e një operacioni të drejtuar nga Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB), pasuese kryesore e KGB-së së ish-Bashkimit Sovjetik.
Duke e mbështetur këtë qëndrim, Gjykata Evropiane ka bërë të ditur se ka zbuluar “përtej çdo dyshimi të arsyeshëm që vrasja është ndërmarrë nga Lugovoyi dhe Kovtuni”.
“Operacioni i planifikuar dhe i ndërlikuar që ngërthente përdorimin e helmit të rrallë vdekjeprurës, aranzhimet e udhëtimeve për çiftin dhe përpjekjet e vazhdueshme dhe të qëndrueshme për administrimin e helmit lënë të kuptohet se Litvinenko ishte caku i operacionit”, ka konstatuar gjykata.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka mohuar menjëherë akuzat.
“Gjykata Evropian zor se ka autoritet apo kapacitete teknologjike për të poseduar informata rreth çështjes”, ka thënë ai. “Ende nuk ka rezultate nga ky hetim dhe dalja me pretendime të tilla është në rastin më të paktë e pabazuar”.
Lugovoyi dhe Kovtuni kanë mohuar vazhdimisht përfshirjen. Të martën, Lugovoy ka thënë se vendimi i gjykatës ishte i motivuar politikisht.
Përveç vendimit të Gjykatës në Strasburg, policia britanike ka njoftuar të martën se një shtetas i tretë rus është paditur në mungesë për tentim-vrasjen e vitit 2018 të ish-agjentit të dyfishtë rus, Sergei Skripal, me agjentin nervor Novichok. Zyrtarët e rendit kanë bërë të ditur se tani mund të konfirmojnë se të tre të dyshuarit ishin agjentë të Inteligjencës ushtarake. Edhe këtë konstatim Rusia e ka hedhur poshtë.
Në vendimin e së martës, Gjykata Evropiane ka urdhëruar Rusinë që t’ia paguajë të vesë së Litvinenkos, Marina, 100.000 euro dëmshpërblim dhe 22.500 euro në kosto.