Botë

Rusia pretendon se ka prova që sulmuesit e Moskës ishin financuar nga Ukraina

Sulmi në Moskë

Komitetit Hetues rus pretendon se sulmuesit ishin të lidhur me nacionalistët ukrainas

Foto: Associated Press

Organi më i lartë hetimor i Rusisë ka thënë të enjten se ka prova se personat e armatosur që sulmuan një sallë koncertesh në periferi të Moskës, ishin financuar nga Ukraina.

Zëdhënësja e Komitetit Hetues rus, Svetlana Petrenko pretendoi se sulmuesit ishin të lidhur me nacionalistët ukrainas.

“Hetimi ka konfirmuar informacionin se autorët e sulmit terrorist kanë marrë shuma të konsiderueshme parash dhe kriptovalutash nga Ukraina”, ka deklaruar ajo. 

Një javë më parë sulmuesit hynë në sallën e qytetit Crocus në periferi perëndimore të Moskës dhe gjuajtën turmën me të shtëna me armë, duke vrarë 143 njerëz dhe duke i vënë zjarrin vendit të ngjarjes.

Një fraksion i grupit të Shtetit Islamik ka marrë përgjegjësinë për masakrën. Por zyrtarët rusë, përfshirë presidentin Vladimir Putin, kanë pohuar me këmbëngulje, pa paraqitur prova, se Ukraina dhe Perëndimi kishin një rol në sulm.

Ukraina mohon përfshirjen dhe zyrtarët e saj pretendojnë se Moska po e shtyn këtë akuzë si një pretekst për të intensifikuar luftimet e saj në Ukrainë.

Petrenko ka thënë gjithashtu se një tjetër i dyshuar në këtë rast është arrestuar. Zyrtarët thanë më parë se 11 të dyshuar ishin arrestuar, duke përfshirë katër që dyshohet se kryen sulmin.

Këta katër të dyshuar, të identifikuar si shtetas taxhik, u paraqitën në një gjykatë në Moskë të dielën me akuza për terrorizëm dhe treguan shenja të rrahjeve të rënda. Njëri dukej se mezi ishte i vetëdijshëm gjatë seancës.

Masakra e së premtes mbrëma ishte sulmi më vdekjeprurës i ekstremistëve në tokën ruse në gati dy dekada.