Botë

Rusia po u ofron banorëve të Moskës deri në 22 mijë dollarë për të luftuar në Ukrainë

Trupat ruse në Ukrainë

Trupat ruse në Ukrainë

Foto: Associated Press

Autoritetet në qytetin e Moskës janë duke ofruar shuma të mëdha për rekrutët e rinj, për të luftuar në Ukrainë.

Kjo po shihet si shenjë e përpjekjes për ta rritur numrin e trupave, raporton CNN.

Financimi i ri vjen pasi presidenti rus, Vladimir Putin, po përpiqet të rekrutojë ushtarë shtesë ndërsa pushtimi rus në shkallë të plotë në Ukrainë po vazhdon në vitin e tretë.

Kryebashkiaku i Moskës, Sergey Sobyanin prezantoi bonusin e nënshkrimit në vlerë prej rreth 22,000 dollarësh për banorët e qytetit që i bashkohen ushtrisë, sipas një deklarate të martën.

Kushdo që pranon ofertën do të fitonte deri në 59,600 dollarë në vitin e parë të shërbimit, bëhet e ditur në deklaratë.

Ata që dëshirojnë t'i bashkohen luftës në Ukrainë mund të marrin gjithashtu pagesa në vlerë prej rreth 5,690-11,390 dollarë për lëndimet, "në varësi të ashpërsisë së tyre", dhe familja e një ushtari të vrarë në aksion mund të paguhet 34,150 dollarë.

Ndërsa numri i viktimave të Rusisë nuk po zbulohet, vlerësimet thonë se numri i të vdekurve midis trupave është i lartë. Më shumë se 70,000 ushtarë ka të ngjarë të jenë vrarë ose plagosur vetëm në maj dhe qershor, ka bërë të ditur ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar në një përditësim më 12 korrik, pasi ushtria ruse u përball me humbje të mëdha në një front të ri në rajonin e Kharkivit. 

Vlerësohet se Rusia ka humbur 87% të trupave tokësore që kishte përpara se të fillonte pushtimin e saj në Ukrainë dhe dy të tretat e tankeve të saj para pushtimit, ka thënë për CNN një burim i njohur me një vlerësim të deklasifikuar të inteligjencës amerikane dhënë Kongresit në dhjetor të vitit të kaluar.

Ndërsa vdekjet e personelit po rriten, Kremlini po kërkon kudo për të gjetur luftëtarë për t'i dërguar në front.

Putin ka urdhëruar ushtrinë e vendit të rrisë numrin e trupave për 170,000, gjë që do të çonte numrin e përgjithshëm të personelit ushtarak rus në më shumë se 2.2 milionë, sipas një dekreti të publikuar nga Kremlini në dhjetor.