Rusia ka rritur shpejtësinë e tërheqjes ushtarake nga Siria, duke tërhequr kontejnerë dhe pajisje nga porti kyç i Tartousit në Detin Mesdhe, raporton BBC.
Pas rënies së regjimit të Bashar al-Assadit në dhjetor, pamje të verifikuara kanë shfaqur kolona të automjeteve të Ushtrisë ruse drejt portit në veri. Imazhet satelitore kanë shfaqur imazhe të pajisjeve ushtarake që po mbaheshin aty.
Por imazhe të reja të publikuara të mërkurën nga “Planet Labs” kanë treguar se shumë nga pajisjet janë larguar tashmë, pas largimit të anijeve të lidhura me Ushtrinë ruse.
Kjo erdhi si pasoj e bisedimeve zyrtare në mes Rusisë dhe Qeverisë së re siriane, ka raportuar agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ka pasur raportime se Qeveria e re siriane ka anuluar lejen e përdorimit të portit nga Rusia, por zyrtarët e qeverisë nuk e kanë konfirmuar këtë.
Porti i Tartous ka qenë bazë kyçe për Rusinë viteve të fundit, duke mundësuar furnizimin dhe riparimin e anijeve në Detin Mesdhe.
Kremlini ka dhënë sinjale se dëshiron të mbajë kontrollin e bazës, dhe gjatë dhjetorit ka njoftuar se është në bisedime me autoritetet e reja siriane për ta ruajtur prezencën aty.
Gjithsesi, dëshmitë sugjerojnë se Moska ka vendosur të largojë pajisjet me vlerë nga porti. Po ashtu imazhet satelitore kanë shfaqur pamje të pajisjeve të larguara nga baza ajrore në Hmeimim për disa javë.
Javën e kaluar, inteligjenca e Ushtrisë ukrainase ka njoftuar BBC-në se fluturimet ruse kanë transferuar personel ushtarak dhe pajisje nga baza ajrore Hmeimim në Siri – për në bazat ajrore në Libi.
Dmitry Gorenburg, ekspert i çështjeve të sigurisë në Universitetin e Harvardit, ka thënë për BBC-në se lëvizjet sugjerojnë se prezenca ruse në Tartous është drejt fundit.