Sipas burimeve evropiane të inteligjencës, Rusia ka bashkëpunuar me Kinën për të themeluar një program të armëve për prodhim të dronëve me rreze të gjatë, Garpiya-3 (G3), me ndihmën e specialistëve kinezë. Këta dronë do të përdoren në Ukrainë
Rusia ka themeluar një program të armëve në Kinë për të zhvilluar dhe prodhuar dronë me rreze të gjatë veprimi për t’i përdorur në luftën kundër Ukrainës, sipas dy burimeve të agjencisë evropiane të inteligjencës dhe dokumentet e shikuara nga Reuters.
IEMZ Kupol, një degë e kompanisë ruse të armëve Almaz-Antey, ka zhvilluar dhe testuar fluturimin e modelit të dronëve të ri të quajtur Garpiya-3 (G3) në Kinë me ndihmën e specialistëve kinezë, sipas një dokumenti. Ky dokument është një raport që Kupoli i ka dërguar Ministrisë ruse të Mbrojtjes më herët këtë vit, ku ka treguar për arritjet e punës së tyre.
Kupoli i ka thënë Ministrisë së Mbrojtjes në një përditësim se është në gjendje të prodhojë dronë, duke e përfshirë G3-shin, në një fabrikë të Kinës në mënyrë që t’i eksportojë në Ukrainë për “operacionin ushtarak special”, term që Moska e përdor për luftën që ka nisur në shkurt të vitit 2022.
Kupoli, Almaz-Antey dhe Ministria ruse e Mbrojtjes nuk i kanë kthyer përgjigje kërkesës së Reuters për komentim. Ministria e Jashtme e Kinës ka thënë se nuk është në dijeni të një projekti të tillë, duke shtuar se vendi ka masa të rrepta kontrolli sa i përket eksportit të dronëve ose mjeteve ajrore pa pilot (UAV).
Fabian Hinz, studiues në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, një institut i mbrojtjes me seli në Londër, ka thënë se dërgesa e UAV-ve nga Kina në Rusi, nëse konfirmohet, do të jetë një zhvillim i rëndësishëm.
“Nëse e shikoni çfarë Kina ka dorëzuar deri më tani, kanë qenë kryesisht mallra me përdorim të dyfishtë – komponentë e nënkomponentë, që mund të përdoreshin në sistemet e armëve”, ka thënë Hinzi. “Kjo është ajo që është raportuar deri më tani. Por ajo që nuk kemi parë në të vërtetë, të paktën në të dhëna publike, janë transferime të dokumentuara të sistemeve të tëra të armëve”.
Megjithatë, Samuel Bendetti, ndihmësbashkëpunëtor në Qendrën për Sigurinë e Re Amerikane (CNAS), institut me seli në Washington, ka thënë se Pekini do të duhej të hezitonte si shkak i sanksioneve ndërkombëtare që mund të merrte për ndihmën e dhënë ndaj makinës luftarake të Moskës dhe se nevojiteshin më shumë informacione për ta vërtetuar se Kina ishte e gatshme për të ndihmuar në prodhimin e dronëve ushtarakë rusë.
Departamenti i Shtetit amerikan dhe Qeveria ukrainase nuk kanë komentuar për këtë çështje. Zyrtarët amerikanë kanë ngritur shqetësime javën e kaluar për çfarë thonë se është mbështetja kineze e makinës luftarake të Rusisë, duke mos dhënë më shumë specifika.
G3-shi mund të përshkojë distancë deri 2000 kilometra dhe të mbajë sasi të eksplozivit prej 50 kilogramësh, sipas raportimit të Kupolit për Ministrinë e Mbrojtjes.

Ata kanë thënë se mostrat e G3-shit dhe disa modeleve të tjera të dronëve të prodhuar në Kinë i janë dërguar Kupolit në Rusi për testime të mëtutjeshme, përsëri me përfshirjen e ekspertëve kinezë.
Dokumentet nuk i kanë identifikuar specialistët kinezë të dronëve të përfshirë në projekt.
Kupoli ka dorëzuar shtatë dronë ushtarakë të prodhuar në Kinë, duke përfshirë dy G3-sha, në selinë e tij në qytetin rus Izhevsk, sipas dy dokumenteve të veçanta të analizuara, të cilat i janë faturuar e dërguar Kupolit nga një firmë ruse, që dy burime evropiane të inteligjencës kanë thënë se shërben si ndërmjetës me furnizuesit kinezë. Faturat, njëra prej të cilave kërkon pagesë në juan kinez, nuk specifikon datat e dorëzimit ose nuk e identifikon furnizuesit në Kinë.
Dy burimet e inteligjencës kanë thënë se dërgesa e dronëve mostër në Kupol ka qenë prova e parë konkrete që agjencia e tyre ka gjetur se UAV-ët e prodhuar në Kinë i ishin dorëzuar Rusisë që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Burimet kanë kërkuar që të mos identifikohen as ata e as organizata për shkak të rëndësisë së informacionit. Ata gjithashtu kanë kërkuar që detaje të caktuara të mos shpërndahen.
“Standardet e dyfishta të shitjes së armëve”
Burimet kanë treguar katër dokumente, duke i përfshirë dy raporte të Kupolit për Ministrinë e Mbrojtjes të Rusisë në fillim të vitit dhe dy fatura, për t’i mbështetur pretendimet e tyre për ekzistencën e një projekti në lidhje me prodhimin e dronëve rusë në Kinë, në mënyrë që të përdoren në Ukrainë.
Pekini ka mohuar vazhdimisht se Kina ose kompanitë kineze e kanë furnizuar Rusinë me armë për t’i përdorur në Ukrainë, duke thënë se vendi mbetet neutral. Ministria e Jashtme kineze ka thënë se pozicioni i Kinës paraqiste një kontrast me kombet e tjera, meqë nuk ka “standarde të dyfishta sa i përket shitjes së armëve”, për të cilat ka thënë se i “kishin shtuar karburant flakëve të krizës ukrainase”.
Kur është pyetur nëse Kupoli kishte filluar të prodhonte dronë ushtarakë me rreze të gjatë Garpiya-A1 në Rusi, duke përdorur motorë dhe pjesë kineze, Ministria kineze ka thënë në fillim të këtij muaji se nuk kishte kufizime ndërkombëtare për tregtinë me Rusinë.
Dokumentet e reja tregojnë se Kupoli ka vepruar më tej, duke siguruar UAV të plotë nga Kina.
Si Rusia ashtu edhe Ukraina janë duke garuar për ta rritur zhvillimin dhe prodhimin e dronëve, të cilat po shfaqen si armë shumë efikase në luftë.
David Albright, ish-inspektor i armëve i OKB-së që e udhëheq grupin e hulumtimit të Institutit për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare, ka kryer studime të shumta për bashkëpunimin kinez dhe rus për prodhimin e dronëve. Ai ka thënë se Kupoli mund t’i anashkalojë sanksionet perëndimore ndaj Rusisë duke ngritur një objekt prodhimi në Kinë ku mund të ketë qasje në çipa dhe ekspertizë të avancuar.
Por Bendetti nga CNAS ka thënë se Pekini nuk ka arsye të kujdeset kaq shumë: “Ekzistenca e një fabrike që ndërton UAV-ë për rusët e ekspozon Kinën ndaj efekteve më të rënda të sanksioneve, prandaj nuk është e qartë se deri në çfarë shkalle Kina do të ishte e gatshme ta ekspozonte veten”.
Të krahasueshëm me dronët “Reaper” të SHBA-së?
G3-shi është version i përditësuar i dronëve Garpiya-A1, sipas raporteve të Kupolit për Ministrinë e Mbrojtjes. Është ridizajnuar nga ekspertët kinezë që punojnë me projekte të Garpiya-A1, kanë thënë ata.
Kupoli ka thënë se brenda tetë muajve, projekti në Kinë do të ishte gati të prodhonte dronë kinez sulmues UAV, me sasi eksplozivi prej 400 kilogramësh. Dy burimet evropiane të inteligjencës kanë thënë se ky sistem do të ishte i ngjashëm me dronët “Reaper” të SHBA-së.
Burimet kanë thënë se një firmë tjetër e Mbrojtjes ruse e quajtur TSK Vektor ka vepruar si ndërmjetës mes Kupolit dhe furnizuesve kinezë. Ata kanë thënë se firma ruse ka punuar me kompaninë kineze Redlepus TSK Vector Industrial, e bazuar në Shenzhen, pa e specifikuar rolin e kësaj kompanie.
Një dokument tjetër ka treguar planet që përfshijnë Kupolin, TSK Vektor dhe Redlepusin për ta themeluar një qendër për kërkimin dhe prodhimin e dronëve ruso-kinezë në zonën ekonomike Kashgar, në provincën e Kinës Xinjiang.
Reuters nuk ishte në gjendje të përcaktonte se kush e ka përpiluar dokumentin, i cili mbante logot e tri kompanive, ose të identifikonte marrësin e synuar. “Baza e Avancuar e Kërkimit dhe Prodhimit të UAV-ve” prej 80 hektarësh do të jetë në gjendje të prodhojë 800 dronë në vit, është thënë në dokument. Nuk është dhënë asnjë afat kohor se kur do të jetë funksionale.
Javën e kaluar, presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se ushtria e tij ka marrë rreth 140 mijë dronë në vitin 2023 dhe se Moska ka planifikuar ta rrisë këtë numër dhjetëfish këtë vit.
“Kushdo që reagon më shpejt ndaj nevojave në fushëbetejë fiton”, ka thënë ai në një takim në St. Petersburg për prodhimin e dronëve.