Rusia me shumë gjasë është duke u përgatitur për të filluar ofensivë të re gjatë javëve të ardhshme për të forcuar pozicionin negociues në bisedimet e paqes me Ukrainën, sipas agjencisë së lajmeve “AP”, e cila ka cituar analistë ukrainas dhe dy diplomat anonimë të G7-s.
Ky lajm erdhi pasi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se Moska është duke planifikuar të sulmojë rajonet e Sumyit dhe Kharkivit këtë pranverë.
Pushtimi i më shumë territoreve ukrainase do të inkurajonte presidentin rus Vladimir Putin të synojë kushte edhe me të ashpra në një marrëveshje potenciale për paqe, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës po tentojnë ta ndërmjetësojnë.
Moska ka refuzuar armëpushimin 30-ditor që u dakordua nga SHBA-ja dhe Ukraina në Jeddah të Arabisë Saudite me 11 mars, ndërsa është pajtuar vetëm për armëpushim të pjesshëm kundër infrastrukturës energjetike dhe në Detin e Zi.
Kievi e ka akuzuar Rusinë për shkelje të armëpushimit në infrastrukturën energjetike, derisa e ardhmja e armëpushimit në Detin e Zi është nën dyshim pasi Moska e ka lidhur zbatimin me largimin e një pjese të sanksioneve nga Perëndimi.
“Mund ta konfirmoj se Putini është duke tentuar të fitojë kohë dhe është duke u përgatitur për një ofensivë në pranverë. Ne shohim përgatitje për këtë operacion në ardhje”, ka deklaruar Zelensky më 27 mars. Kievi thotë se Kremlini është duke i vonuar bisedimet për paqe për të fituar kohë për të pushtuar më shumë tokë.
Analisti i ushtrisë ukrainase, Oleksii Hetman ka deklaruar se operacionet e ofensivës në ardhje të Rusisë do të mund të zgjasin nga gjashtë deri në nëntë muaj.
Rajonet e Sumyit dhe Kharkivit, të dyja të vendosura në verilindje të Ukrainës në kufi me Rusinë, kanë luajtur rol kyç në mbrojtjen e Ukrainës që nga fillimi i pushtimit të plotë. Moska ka filluar dy ofensiva të gjata kundër Kharkivit gjatë majit të kaluar. Me 8 qershor, Zelensky deklaroi se Rusia ka dështuar në ofensivën e saj.
Duke e pritur një ofensivë tjetër në rajonin e Sumyit, Ukraina filloi ofensivën në rajonin e Kurskut në Rusi, në gusht të 2024-s për t’i penguar planet ruse. Në fillim forcat ukrainase kanë pushtuar 1,300 kilometra katrorë të territorit rus por kanë humbur shumicën pas kundërofensivës ruse më herët gjatë këtij muaji.