Botë

Rusia paralajmëron “përshkallëzim të pakontrollueshëm”, s’e do NATO-n si paqeruajtëse në Ukrainë

Maria Zakharova

Foto: Associated Press

Rusia e ka refuzuar idenë e dërgimit të trupave paqeruajtës të NATO-s në Ukrainë, në rast të armëpushimit, duke thënë se një lëvizje e tillë kërcënon të shkaktojë “përshkallëzim të pakontrollueshëm”.

Udhëheqësja e Departamentit për Shtyp dhe Informim e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka thënë se ideja ishte krejtësisht e papranueshme për Rusinë.

Gjatë një konference për media, ajo iu referua deklaratave të kryeministrit britanik, Keir Starmer, dhe ministrit të Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius, rreth dërgimit të trupave për një forcë paqeruajtëse në Ukrainë.

Pistorius pati deklaruar më 18 janar gjatë një interviste se Gjermania si aleati më i madh i NATO-s në Evropë gjithsesi që “do të luante rol”.

Starmer ka deklaruar më 16 janar se Britania ka diskutuar me aleatët për mundësinë e një force paqeruajtëse me aleatët, dhe se “ne do të luajmë pjesën tonë të plotë”.

Rusia ka njoftuar se është e hapur për dialog me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i cili ka deklaruar se do t’i sjellë fund të shpejt luftës.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, i cili është duke kërkuar takim me Trumpin, ka deklaruar të martën se do të duheshin më së paku 200,000 trupa paqeruajtës evropiane për të parandaluar sulm të ri rus pas ndonjë armëpushimi.