Botë

Rusia pajtohet plotësisht me pozicionin e Amerikës për Ukrainën

Dmitry Peskov

Dmitry Peskov

Foto: Associated Press

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar të enjten se Rusia pajtohet plotësisht me pozicionin e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, mbi nevojën për të përfunduar sa më shpejtë konfliktin në Ukrainë, raporton LeMonde. 

“Ata po flasin për nevojën e arritjes së paqes sa më shpejt që është e mundur përmes negociatave. Ne kemi theksuar po ashtu se pozicioni i kësaj administrate është më i favorshëm se i administratës së kaluar dhe se ne pajtohemi plotësisht me të”, ka thënë Peskov në një konferencë për media.

Delegacionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Rusisë janë dakorduar të martën në Arabinë Saudite, që të caktojnë ekipe të nivelit të lartë për bisedime për Ukrainën, që do të punojnë për të gjetur një rrugë drejt fundit sa më të shpejtë të luftës.

Të dy palët ishin pajtuar edhe për 4 parime, që u bënë publike nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. 

Parimet: 
1.    Së pari, për të rivendosur funksionalitetin e misioneve tona përkatëse në Washington dhe në Moskë. Që ne të mund të vazhdojmë të ecim në këtë rrugë, duhet të kemi objekte diplomatike që operojnë dhe funksionojnë normalisht.

2.    Së dyti, ne do të caktojmë ekip të nivelit të lartë që të ndihmojë në negociata dhe punën për përfundimin e konfliktit në Ukrainë në një mënyrë që të jetë e qëndrueshme dhe e pranueshme për të gjitha palët e angazhuara.

3.    Së treti, do të nisim diskutimet dhe të mendojmë e shqyrtojmë bashkëpunimin gjeopolitik dhe ekonomik, që mund të rezultojë nga fundi i konfliktit në Ukrainë.

4.    Së katërti, do të mbesim të angazhuar në këtë proces për t’u siguruar që po ecën përpara në mënyrë produktive”.


Kremlini thotë se trupat e NATO-s në Ukrainë janë të papranueshme

Peskov, ka deklaruar të enjten se “dërgimi i kontingjenteve ushtarake nga vendet e NATO-s në territorin e Ukrainës është i papranueshëm për ne”, shkruan BBC.

Deklaratat e Peskovit përsërit qëndrimet e ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov, i cili ka thënë të mërkurën se Rusia nuk do të pranonte kurrsesi trupa paqeruajtëse të vendeve të NATO-s nëse arrihet ndonjë marrëveshje e paqes për Ukrainën.

Më herët gjatë javës, kryeministri britanik, Keir Starmer, ka thënë se ai do të konsideronte dërgimin e trupave britanike në Ukrainë, nëse do të arrihej një paqe e qëndrueshme dhe afatgjatë.