Botë

Rusia mund të jetë përgjegjëse për rrëzimin e aeroplanit të Azerbajxhanit, thotë SHBA-ja

aeroplani

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, ka thënë se SHBA-ja ka parë "indikacione të hershme" se Rusia mund të ketë qenë përgjegjëse për rrëzimin e aeroplanit të “Azerbaijan Airlines” më 25 dhjetor, ku mbetën të vdekur 38 persona.

Kirby nuk dha më shumë detaje, por u tha gazetarëve se SHBA-ja kishte ofruar ndihmë për hetimin e rrëzimit.

Mendohet se aeroplani është goditur nga sistemet ruse të mbrojtjes ajrore teksa u përpoq të ulej në Çeçeni përpara se të devijonte në Kazakistan, ku u rrëzua, raportoi BBC. 

Kremlini ka refuzuar të komentojë, por kreu i agjencisë së aviacionit civil të Rusisë tha se situata në Çeçeni ishte "shumë e ndërlikuar" për shkak të sulmeve të avionëve ukrainas në rajon.

Kirby ka thënë se SHBA-ja ka parë përtej fotografive që kanë qarkulluar të aeroplanit pas rrëzimit.

Në Azerbajxhan kanë thënë se aeroplani ishte subjekt i “ndërhyrjes së jashtme”, por nuk kanë përmendur Rusinë.