Botë

Rusia mirëpret dëshirën e raportuar të Turqisë për t’u bashkuar me BRICS-in

Vladimir Putin dhe Recep Tayyip Erdogan

Rusia e ka mirëpritur dëshirën e raportuar të Turqisë për t’u bërë pjesë e grupit të kombeve BRICS, ka thënë të martën zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke bërë të ditur se kjo temë do të jetë pjesë e agjendës së samitit të ardhshëm të organizatës.

Peskov ka thënë se ka një interes të shtuar për anëtarësim në BRICS, grup që përbëhet nga Brazili, Rusia, India, Kina, Afrika e Jugut, Etiopia, Irani, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe nga shtete të ndryshme, por ka shtuar se nuk ka gjasa që të gjitha kombet e interesuara të jenë pjesë e tij. 

Të hënën, ministri i jashtëm turk, Hakan Fidan, filloi një vizitë në Pekin, vizita e nivelit më të lartë nga një zyrtar turk në Kinën anëtare të BRICS-it që nga viti 2012. Fidan zhvilloi bisedime me homologun kinez Wang Yi dhe zyrtarë të tjerë gjatë vizitës.

I pyetur nëse Turqia do të dëshironte t’i bashkohej BRICS-it, Fidan e pohoi duke thënë se “ne do të donim sigurisht, pse jo?”. Megjithatë, ai nuk dha më shumë detaje.

Fidan u citua nga agjencia shtetërore e lajmeve “Anadolu” e Turqisë të thoshte se Ankaraja po merr parasysh gjithashtu bashkëpunimin me anëtarët e BRICS-it dhe se ai do të merrte pjesë në një takim të planifikuar të grupit javën e ardhshme në Rusi.

Turqia, anëtare e NATO-s, është kritikuar nga aleatët e saj perëndimorë në vitet e fundit për lidhjet e saj me Rusinë, me disa që thonë se po distancohej nga aleanca ushtarake perëndimore, raporton “Reuters”.

Ankaraja e ka hedhur poshtë këtë, duke thënë se mbetet anëtare e përkushtuar e aleancës dhe ka ruajtur objektivin e saj për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.