Mësuesi amerikan dhe ish-diplomati Marc Fogel është liruar nga Rusia dhe është rrugës për t’u kthyer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, Mike Waltz.
Waltz tha se lirimi i Fogel ka qenë i negociuar si pjesë e një shkëmbimi me Rusinë, pa treguar për detaje të tjera, raporton BBC.
Ai tha se Fogel, 63 vjeç, ishte në një aeroplan me Steve Witkoff, të dërguarin e veçantë të presidentit Trump për Lindjen e Mesme, dhe do të ribashkohej me familjen e tij deri të martën në mbrëmje.
"Jemi më shumë se mirënjohës, të lehtësuar dhe të emocionuar që, pas më shumë se tre vjetësh të ndalimit, babai, burri dhe djali ynë, Marc Fogel, përfundimisht po kthehet në shtëpi”, tha familja e Fogel në një deklaratë.
Marc Fogel ishte arrestuar në një aeroport rus në vitin 2021, për posedim të jashtëligjshëm të kanabisit. Atij iu shqiptuan 14 vjet dënim me burgim.
Familja e Fogel kishte provuar të shtynte ish-presidentin Joe Biden për të siguruar lirimin e tij, dhe mbetën të zhgënjyer kur ai u përjashtua nga shkëmbimet e të burgosurve në vitet 2022 dhe 2024.