Vetëm një ditë pasi Kremlini fshiu kërcënimin për rivendosjen e kufijve në Detin Baltik, rojet kufitare ruse të premten hoqën më shumë se 20 bova [që vendosen për pika kufitare në ujë] në lumin Narva – rruga ujore përgjatë kufirit estonezo-rus.
Bashkimi Evropian e ka dënuar këtë veprim si “sjellje provokuese” të Rusisë me fqinjët.
“Ky incident kufitar është pjesë e një modeli më të gjerë veprimesh hibride nga Rusia, duke përfshirë kufijtë detarë dhe tokësorë në rajonin e Detit Baltik”, ka thënë në një deklaratë të premten kryediplomati i BE-së Josep Borrell.
"Bashkimi Evropian pret shpjegim nga Rusia për heqjen e bovave dhe kthimin e menjëhershëm të tyre”, ka thënë Borrell.
Rusia ende s’ka reaguar.
Presidenti rus Vladimir Putin ka nisur pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës që nga shkurti i vitit 2022 dhe ka ngjallur frikë në vendet e tjera fqinje.
Çdo pranverë, Estonia dhe Rusia vendosin bova në lumin Narva për të shënuar kufirin.
Ndërsa shtrati i lumit ndryshon me kalimin e kohës, të dy vendet e shikojnë pikën kufitare çdo vit.
“Që nga viti 2023 Rusia nuk pajtohet me qëndrimet estoneze në lidhje me vendosjen e bovave”, ka thënë zyrtari estonez Eerik Purgel.
Këtë vit, Rusia raportoi se nuk pajtohet me vendndodhjen e përafërsisht gjysmës së 250 bovave kufitare. Estonia i vendosi bovat pas traktatit për kufirin shtetëror dhe marrëveshjes për vendosjen e bovave të lidhura midis shërbimeve kufitare në vitin 2022. 50 bovat e para u vendosën më 13 maj dhe Rusia hoqi rreth gjysmën e tyre.
Estonia ka thirrur ambasadorin rus për të shpjeguar atë që e përkufizoi si “incident provokues kufitar”.