Botë

Rusia kryen sulm masiv në rrjetin e energjisë elektrike në Ukrainë

Ukraina

Rusia në një sulm masiv me raketa dhe dronë ka bombarduar infrastrukturën e energjisë elektrike në Ukrainë, kanë njoftuar zyrtarët ukrainas të premten. Sulmi ka nodhur gjatw natws, disa orë pasi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky deklaroi se bisedimet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të përfunduar luftën trevjeçare do të mbahen javën e ardhshme. 

“Ukraina u sulmua masivisht me raketa dhe drona”, ka shkruar ministri i Energjisë Herman Halushchenko në një postimi në rrjetet sociale. Rreth 10 persona, duke përfshirë një fëmijë, janë lënduar, sipas autoriteteve, ka raportuar agjencia e lajmeve “AP”.

“Rusia po tenton të lëndojë ukrainasit e rëndomtë duke sulmuar prodhimin e energjisë dhe gazit, pa u larguar nga qëllimi i saj për të na lënë pa drita dhe ngrohje, dhe duke i shkaktuar dëm më të madh qytetarëve të rëndomtë”, ka shkruar tutje Halushchenko.

Në mënyrë të përsëritur Rusia ka pasur cak rrjetin e shpërndarjes së energjisë në Ukrainë gjatë luftës. Sulmet kanë dëmtuar kapacitetet për gjenerimin e energjisë dhe kanë rrjetin kritik të ngrohjes dhe ujit. Zyrtarët evropianë kanë akuzuar Rusinë për “përdorimin e dimrit si armë” në përpjekje për të ulur moralin e civilëve.

Sistemet e mbrojtjes ajrore me të cilat Ukrainën e kanë furnizuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë jetike për luftën, por ndihma e vazhdueshme nga SHBA-ja është e pasigurt nën presidencën e Donald Trumpit, i cili thotë se është i vendosur për të përfunduar luftën dhe ka pezulluar ndihmat ushtarake amerikane për Kievin si mënyrë për ta vënë nën presion presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, që të negociojë. 

Javën e ardhshme pritet të ketë takim në Arabinë Saudite, në mes zyrtarëve ukrainas dhe amerikanë për të diskutuar rreth përfundimit të luftës. 

Zelensky ka mirëpritur planin e Bashkimit Evropian për të rritur shpenzimet në mbrojtje. Ai ka shprehur shpresë se një pjesë e shpenzimeve të reja mund të përdoret për të forcuar industrinë e mbrojtjes së Ukrainës.